Franca nuk arriti të kurorëzohej me titull në Kupën e Botës, por Michael Olise ka zgjedhur të kujtojë turneun me një mesazh emocional në rrjetet sociale, ku shprehu zhgënjimin për eliminimin, krenarinë për rekordin e vendosur dhe mirënjohjen ndaj trajnerit Didier Deschamps. Ylli i Bayern Munichut shkroi në Instagram se mosfitimi i trofeut ishte një zhgënjim i madh për ekipin francez.
“Fakti që nuk arritëm ta sillnim trofeun në shtëpi është një zhgënjim i madh. Nuk ishte siç e kishim imagjinuar fundin e kësaj Kupe Bote në fillim të turneut”, ka shkruar Olise, pasi Franca u eliminua nga kampionia e botës, Spanja, në gjysmëfinale.
Megjithatë, 24-vjeçari u shpreh krenar për paraqitjet e tij personale, pasi vendosi rekordin për numrin më të madh të asistimeve në historinë e Kupës së Botës. Ai regjistroi shtatë asiste gjatë turneut, duke kaluar rekordin e mëparshëm të legjendës Pele, i cili kishte realizuar gjashtë asiste në Botërorin e vitit 1970.
Olise pati edhe fjalë të veçanta për trajnerin Didier Deschamps, duke e falënderuar për besimin që i dha që nga ftesa e parë në kombëtare. “Që ma bëtë të mundur thirrjen time të parë në ekipin kombëtar dhe që besuat tek unë edhe në momentet më të vështira. Do të jem gjithmonë mirënjohës për këtë dhe ju uroj gjithë të mirat për të ardhmen”, shkroi ai.
Në deklaratën e tij, Olise nuk përmendi Bayern Munichun dhe as spekulimet e fundit që e lidhin me një transferim te Real Madridi. Drejtuesit e klubit bavarez kanë bërë të qartë se largimi i tij këtë verë nuk është në plan, ndërsa kontrata e sulmuesit mbetet e vlefshme deri në vitin 2029.
Aktualisht, Olise po shijon pushimet pas Kupës së Botës dhe, ashtu si Dayot Upamecano dhe Harry Kane, pritet t’i bashkohet stërvitjeve të Bayern Munichut vetëm pas përfundimit të turneut aziatik të klubit.
