Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, e ka cilësuar si “të gabuar, të pavend dhe të pakohë” Kuvendin e jashtëzakonshëm të ftuar sot, me pikën e vetme të rendit të ditës për shkarkimin e tij. Abdixhiku ka thënë se e konsideron këtë nismë të tillë “sepse vjen në mënyrë të njëanshme, të ndjeshme për vendin, përcaktuese për partinë tonë”.
Sipas tij, procesi është i parakohshëm, pasi vjen vetëm pak muaj pas Kuvendit të jashtëzakonshëm të kaluar dhe pak para mbajtjes së Kuvendit të rregullt të LDK-së. Ai ka thënë se ndjen keqardhje për disa anëtarë të partisë, të cilët, sipas tij, kanë sabotuar LDK-në në një periudhë të rëndësishme.
“Kur refuzohet pjesëmarrja në Këshill të Përgjithshëm, në Kolegjium të degëve, në fushatën e partisë e pas saj kërkohet përgjegjësi, unë e refuzoj këtë logjikë. Ndjej vetëm keqardhje dhe në këtë më duhet të ruaj edhe dinjitetin tim.
S’mund t’i jap përgjegjësi dikujt që refuzon pjesëmarrjen në organet e partisë, që refuzon betejën më të rëndësishme që mund të kemi teksa fërkon duart për rezultat të keq për të nisur edhe një herë për të satën herë, refrenin e njëjtë. Përgjegjësi i jap vetëm anëtarit, delegatit që ishte në terren”, ka thënë ai.
Abdixhiku para delegatëve: Asnjë veprim e vendim s’e kam marrë duke menduar për veten përpara LDK-së Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
