Flutura Gashi-Mehmeti Shpërndaje në: Tre zjarrfikës grekë kanë humbur jetën duke luftuar zjarret pyjore në ishullin e Kretës dhe në jug të territorit kontinental të Greqisë, ka njoftuar departamenti grek i zjarrfikësve, ndërsa temperaturat ekstreme po pengojnë përpjekjet për të vënë nën kontroll flakët që po shkatërrojnë Evropën Jugore.
Vala e zjarreve shkatërruese, që shtrihet nga bregdeti i Atlantikut deri në Mesdheun Lindor dhe nga Malësitë e Skocisë deri në jug të Spanjës, ka alarmuar ekspertët, pasi shumë prej tyre kanë dalë jashtë kontrollit dhe po digjen pranë qyteteve dhe zonave të banuara.
Temperaturat, të përkeqësuara nga kriza klimatike, kanë arritur në 38 gradë celsius të mërkurën në Bordo të Francës, ku zjarrfikësit kanë arritur të ndalojnë një zjarr të madh në pyjet me pisha aty pranë që të mos arrinte në periferi të qytetit.
Në Madrid u regjistrua temperaturë prej 37 gradë celsius, ndërsa në perëndim të kryeqytetit zjarri më i madh pyjor i regjistruar ndonjëherë në Spanjë ishte “stabilizuar teknikisht”, sipas ministrit të Brendshëm, Fernando Grande-Marlaska.
Megjithatë, një zjarr tjetër pranë Valencias, ku temperaturat pritet të arrijnë një maksimum më të ulët prej 32 gradësh celsius, vazhdon të jetë jashtë kontrollit.
E shoqëruar nga erëra të forta, vala e katërt e të nxehtit këtë verë përvëluese në Evropën Perëndimore ka alarmuar zjarrfikësit, të cilët paralajmërojnë se ajo e bën shumë më të vështirë shuarjen e zjarreve dhe rrit rrezikun që flakët të rindizen edhe në zonat që janë stabilizuar.
Edhe Botë 26 jan 2026 Tre të vdekur e dy të zhdukur nga një shpërthim zjarri në Greqi Zjarre të reja kanë detyruar gjithashtu evakuime në Greqi dhe Turqi. Sipas të dhënave të Sistemit Evropian të Informacionit për Zjarret në Pyje, zjarret kanë përfshirë një sipërfaqe rekord në Francë, ndërsa Franca dhe Spanja kanë regjistruar një numër rekord zjarresh për këtë periudhë të vitit.
Më shumë se 330.000 njerëz në Evropën Jugore janë detyruar të largohen nga shtëpitë dhe hotelet e tyre.
