​Shqipëria synon konsullatë në Luginën e Preshevës, Hoxha: Kërkesa e

0%

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka deklaruar se prioritet i Tiranës mbetet hapja e një Konsullate të Përgjithshme shqiptare në Luginën e Preshevës, ndërsa kërkesa e Serbisë për hapjen e një konsullate në Shkodër do të shqyrtohet në kuadër të parimit të reciprocitetit dhe vetëm pas arritjes së dakordësisë mes dy vendeve.

Reagimi i Hoxhës vjen pas debatit të krijuar nga deklaratat e ministrit të Jashtëm të Serbisë për mundësinë e hapjes së një Konsullate të Përgjithshme serbe në Shkodër, transmeton KosovaPress.

Sipas ministrit, Shqipëria ka kërkuar prej kohësh krijimin e një përfaqësie të përhershme konsullore në Luginën e Preshevës, ku jeton një komunitet i konsiderueshëm shqiptar, ndërsa Serbia ka paraqitur kërkesën e saj për hapjen e një konsullate në Shkodër. Ai theksoi se çdo vendim do të merret vetëm pasi të jenë dakordësuar të gjitha aspektet e procesit ndërmjet dy shteteve.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Hoxha nënvizoi se reciprociteti është një parim themelor i marrëdhënieve diplomatike, por nuk duhet të interpretohet si barazim mekanik i interesave apo objektivave të Shqipërisë dhe Serbisë.

“Synimi dhe interesi i Shqipërisë është të krijojë më në fund një prani konsullore të përhershme në Luginën e Preshevës, një zhvillim i vonuar në një hapësirë ku jeton një komunitet i rëndësishëm shqiptar. Kjo do të na mundësojë të jemi më pranë qytetarëve shqiptarë, t’i mbështesim më drejtpërdrejt dhe të mbrojmë interesat e tyre legjitime”, tha Hoxha.

Ministri kritikoi reagimet që, sipas tij, janë përqendruar te mundësia e hapjes së konsullatës serbe në Shkodër, duke lënë në hije rëndësinë që do të kishte për shqiptarët e Luginës së Preshevës hapja e një përfaqësie diplomatike shqiptare. Ai shtoi se politika e jashtme e Shqipërisë mbështetet në interesin kombëtar, respektimin e së drejtës ndërkombëtare dhe vlerave evropiane.

“Ky është standardi ynë sot, por edhe standardi që Shqipëria synon të mbajë si vendi i ardhshëm anëtar i Bashkimit Evropian. Ne jemi të vendosur ta përfaqësojmë këtë qasje në çdo vendimmarrje të politikës sonë të jashtme”, përfundoi Hoxha.

Burimi: Bota Sot