“Qeverisja i takon Kurtit, Presidenca…” – vjen paralajmërimi i fortë

0%

Ngërçi politik në Kosovë vazhdon të mbajë të bllokuar procesin e formimit të institucioneve, ndërsa vëmendja mbetet te përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Deklaratat e ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, kanë hedhur më shumë dritë mbi bisedimet mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së për tejkalimin e ngërçit politik. Ajo tha se gjatë takimeve janë trajtuar disa opsione, por se ende nuk është arritur një marrëveshje për formimin e institucioneve.

E në lidhje me këtë çështje për “Bota sot” ka folur veprimtari shqiptar nga SHBA, Agim Aliçkaj, i cili situatën politike në vend e cilësoi si shumë absurde dhe fatkeqësisht ai nuk sheh që ka zgjidhje në horizont për gjithë këtë bllokdaë. Sipas tij, e gjithë kjo situatë i shkon në favor Listës Serbe, derisa kritikoi partitë opozitare për qasjen e tyre karshi bisedimeve me LVV-në.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Situata politike në Kosovë është bërë absurde. Populli është lodhur duke e zgjedhur Kryeministrin Albin Kurti për të qeverisur, por më kot. Zgjidhja nuk duket në horizont. Humbësit e zgjedhjeve, PDK-ja, LDK-ja dhe Aleanca, po e shfrytëzojnë Kushtetutën e “kompromiseve” të Ahtisaarit për ta bllokuar shtetin në mënyrë të pakufishme.

Kjo situatë e favorizon organizatën armiqësore Lista Srpska, e cila është krijuar dhe mobilizuar vetëm për ta destabilizuar dhe shkatërruar shtetin e Kosovës. Ajo drejtohet drejtpërdrejt dhe haptazi nga regjimi racist dhe hegjemonist serb.

Diplomatët evropianë, në vend se të bëjnë presion mbi opozitën për t’i ndërprerë bllokadat, janë të preokupuar me forcimin e kësaj liste, duke bërë presion për kthimin në detyrë të prokurorëve armiqësorë.

Në njërën anë predikojnë zbatimin e rregullave dhe ligjeve, ndërsa në anën tjetër bëjnë presion mbi qeverinë në detyrë për ta shkelur ligjin në interes të regjimit serb të Beogradit” , nënvizoi ai. Agim Aliçkaj Krahas kësaj, Aliçkaj u dal edhe te bisedimet mes LVV-së dhe LDK-së për një marrëveshje të mundshme për krijimin e institucioneve të reja.

Duke parë edhe zhvillimet e brendshme në LDK dhe numrin e votave që duhen për president, veprimtari potencoi se është shumë vështirë të arrihet një marrëveshje mes këtyre dy partive. “Bisedimet ndërmjet LVV-së dhe LDK-së, pas zgjedhjeve të qershorit, filluan me seriozitet dhe krijuan shpresë te populli se kësaj radhe mund të arrihej një marrëveshje politike për krijimin e institucioneve.

Deklaratat e Presidentes Albulena Haxhiu lidhur me këto bisedime ishin disi optimiste. Mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë në ditët në vijim, por një gjë e tillë duket e vështirë pas përçarjeve serioze brenda LDK-së.

Problemi kryesor mbetet zgjedhja e Presidentit, për të cilën kërkohet kuorumi prej dy të tretave të deputetëve, në bazë të një vendimi të gabuar dhe pa kurrfarë kuptimi të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Shanset që LDK-ja t’i sigurojë 18 votat e domosdoshme për këtë proces janë shumë të vogla”.

Në vazhdim, Aliçkaj tha se në rast se LDK e bojkoton votimin e presidentit, atëherë vërtetohet se ende nuk është liruar nga kapja e oligarkëve të Kosovës, derisa tha se nëse merr pjesë në votim, atëherë përgjegjësia do bie te PDK e AAK. Për këtë, ai kishte edhe disa fjalë për AAK-në e PDK-në.

“Nëse deputetët e LDK-së e bojkotojnë tërësisht votimin, kjo do të dëshmonte se ata ende nuk janë liruar nga kapja e oligarkëve të Kosovës dhe miqve të tyre të paguar në Amerikë. Por, nëse LDK-ja e do vërtet shtetin dhe nuk dëshiron të mbetet fajtore për shkuarjen në zgjedhje të tjera, do të ishte mirë t’i ofronte votat që mundet, edhe pa ndonjë koalicion.

Në këtë mënyrë, përgjegjësia do të kalonte te PDK-ja dhe Aleanca. Nëse deputetët e tyre nuk qëndrojnë në vendet e tyre të punës në Parlament gjatë votimit për Presidentin, ata bëjnë shkelje të rëndë të detyrave të tyre. Ata do të mbeten edhe më tutje fajtorët kryesorë për bllokimin e shtetit.

Deklarata e kreut të Aleancës, Ardian Gjini, se do të befasojnë me shtimin e votave në zgjedhje të reja është naive dhe pa kurrfarë baze. Shihet se z. Gjini është ndër ata që ëndërrojnë të korrin pa mbjellë asgjë. Ai premton bllokada me paramendim dhe sipas një plani të caktuar. Një veprim i tillë e dëmton shtetin dhe partia e tij nuk meriton ta kalojë pragun.

PDK-ja, e mashtruar nga lobisti serb Grenell dhe pro-serbi Edi Rama, është haptazi e pozicionuar që, pavarësisht propozimit të Kurtit, ta çojë vendin në zgjedhje, me shpresën se krerët e saj do të lirohen nga Haga dhe do të kthehen në Kosovë me xhepa plot me vota. Pyetja është: ku do t’i gjejnë ato vota, edhe nëse lirohen?!”.

Bazuar në gjithë këto zhvillime, veprimtari shqiptar nga SHBA vlerëson se partitë humbëse në zgjedhjet e fundit nuk duket se kanë interes për të zgjdhur gjithë këtë ngërç. Sipas tij, ato shpresat i kanë në largimin e Kurtit nga pushteti, ndonëse një gjë të tillë nuk do mund ta bëjnë, ato vetëm po dëmtojnë shtetin.

“Të gjitha indikacionet tregojnë se partitë humbëse nuk janë të interesuara fare të ofrojnë zgjidhje, por vetëm të gjejnë arsyetime për ta bllokuar shtetin pa kufi, me shpresën se do ta largojnë Kryeministrin Kurti nga qeverisja dhe politika. Nuk e kanë fare të qartë se kjo është një dëshirë e tyre e parealizueshme. Populli nuk mashtrohet; ai e sheh se kush është fajtori.

Veprimet e tyre nuk i bëjnë asgjë Kurtit; ato vetëm e dëmtojnë shtetin. Pozita e tij në detyrë po përcaktohet dhe po vazhdohet nga vetë opozita, përmes sjelljeve të saj të pakuptimta. Qeverisja e tij vazhdon me kompetenca të zvogëluara, gjë që nënkupton edhe përgjegjësi të zvogëluar për mbarëvajtjen e shtetit.

Po ta lejonin të qeveriste normalisht, mundësitë për kritika do të ishin më reale. Kështu do të krijoheshin kushtet që opozita, në zgjedhjet e ardhshme, të pozicionohej më mirë”. Në fund, ai shtoi se qeverisja për këtë mandat i takon Kryeministrit Kurti, ndërsa Presidenca i takon popullit. Mes tjerash, ai tregoi se çka pret populli nga Kurti.

“E vetmja gjë që populli pret nga Kurti dhe koalicioni i tij është të jenë konstruktivë, të hapur dhe të ofrojnë propozime kompromisi, ashtu siç bënë para zgjedhjeve të 7 qershorit. Kandidati për President duhet të jetë i aftë, me përvojë ndërkombëtare dhe jopartiak.

Le ta marrin vesh të gjithë, nëse duan të ekzistojnë si parti dhe të kemi shtet: qeverisja për këtë mandat i takon Kryeministrit Kurti, ndërsa Presidenca i takon popullit. Ky është vullneti i shprehur qartazi nga populli. Për politikanë të mençur, zgjidhja është shumë e lehtë.

Kush e shkel vullnetin e popullit, shkel mbi rezistencën shekullore, luftën çlirimtare dhe gjakun e heronjve dhe të të gjitha viktimave të gjenocidit serb”, përfundoi Agim Aliçkaj për “Bota sot”.

Burimi: Bota Sot