Nën thirrjet “arrestoni Ramën”, nisi marshimi i protestës së 61-të mbrëmjen e sotme, vetëm pak pas përfundimit të fjalimeve në podiumin para godinës së Kryeministrisë. Ndryshim sistemi, arrestim të liderëve politikë, revolucion dhe fund i politikës së vjetër ishin thirrjet dhe parullat e tjera.
Qytetarë të mbledhur në protestë kanë dalë sërish në rrugë duke përsëritur mesazhet e tyre kundër përqendrimit të pushtetit, korrupsionit dhe problematikave sociale që, sipas tyre, kanë prekur vendin. Ata ndoqën itinerarin nga bulevardi drejt rrugës “Myslym Shyri”, për të vijuar me kushtrimin e revolucionit dhe një nga thirrjet: “Rama ciao!”, duke kënduar hitin italian “Bella ciao”.
Gjatë marshimit janë dëgjuar thirrje si “Dorëheqje!” dhe mesazhe kundër qeverisjes aktuale. Protestuesit deklarojnë se do të vijojnë rezistencën e tyre deri në plotësimin e kërkesave të parashtruara.
Aktivistë dhe qytetarë kanë theksuar se arsyet e protestës lidhen me çështje të ndryshme, nga funksionimi i institucioneve dhe pushteti vendor, te gjendja e shërbimeve publike, largimi i mjekëve dhe infermierëve, mungesa e mjeteve për zjarrfikësit dhe problematika të tjera sociale. Protesta, e quajtur nga organizatorët “Revolucioni i Flamingove”, vijon prej 61 ditësh.
