E ardhmja e Marash Kumbullës te Roma mbetet e paqartë, ndërsa mbrojtësi i Kombëtares shqiptare mund të rikthehet sërish në La Liga gjatë merkatos së verës. Sipas raportimeve nga Italia, drejtuesit e klubit verdhekuq janë të gatshëm të dëgjojnë ofertat për 26-vjeçarin, i cili është rikthyer në Trigoria pas përfundimit të huazimit te Majorka.
Sezoni i kaluar nuk ishte ai që pritej për Kumbullën. Dy dëmtime serioze e mbajtën larg fushave për më shumë se tre muaj, duke kufizuar ndjeshëm hapësirat e tij në skuadrën spanjolle. Majorka nuk arriti të mbijetonte në elitën e futbollit spanjoll, duke rënë nga kategoria në javën e fundit të kampionatit. Megjithatë, vlerësimi për mbrojtësin shqiptar në Spanjë nuk ka rënë.
Përkundrazi, disa klube të La Ligës vazhdojnë ta konsiderojnë atë një opsion të vlefshëm për repartin defensiv. Sipas të njëjtave burime, Rajo Vajekano, Levante dhe Elche kanë shfaqur interes konkret për Kumbullën dhe kanë kërkuar informacione rreth situatës së tij te Roma. Nuk përjashtohet që një prej këtyre klubeve të bëjë lëvizjen e parë zyrtare gjatë ditëve në vijim.
Nga ana tjetër, Roma preferon ta shesë përfundimisht kartonin e mbrojtësit shqiptar, edhe për shkak të nevojës për të balancuar financat dhe për të krijuar hapësira në organikë. Megjithatë, drejtuesit verdhekuq mbeten të hapur edhe ndaj formulës së huazimit me të drejtë ose detyrim blerjeje, nëse nuk mbërrin një ofertë e kënaqshme për transferim të përhershëm.
Kumbulla ka treguar më parë se mund të përshtatet me sukses në futbollin spanjoll. Gjatë huazimit te Espanjoli dy sezone më parë, ai ishte një nga mbrojtësit më të spikatur të skuadrës, para se dëmtimet t’i ndërprisnin vazhdimësinë te Majorka.
Me merkaton verore ende të hapur, ditët në vijim pritet të jenë vendimtare për të ardhmen e mbrojtësit shqiptar, ndërsa rikthimi në La Liga duket aktualisht skenari më i mundshëm.
