Që nga marsi i 2021-s kur mori drejtimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku sot do ta ketë një ndër përballjet më të mëdha për pozitën e tij udhëheqëse. LDK sot përcakton fatin e tij në parti, e bashkë me të edhe drejtimin politik që do ta ndjekë më tutje. 148 delegatë kanë dhënë nënshkrimet e tyre për thirrjen e këtij kuvendi, me kërkesë shkarkimin e Abdixhikut.
Megjithatë, vendimi përfundimtar nuk varet vetëm nga ta, pasi janë gjithsej 355 delegatë të cilët sot do ta thonë fjalën e tyre. Grupi i të pakënaqurve brenda LDK-së arsyen e shkarkimit të Abdixhikut e lidhin me rezultatet zgjedhore dhe nevojën për një ndryshim në drejtimin e partisë.
Sipas njohësve të politikës, kjo është më shumë një revoltë e degëve kundër Abdixhikut, pasi sipas tyre, partia nuk ka një emër konsensual për ta vënë në krye të saj. Duke parë përplasjet brenda LDK-së, njohësit e fushës shprehen skeptikë se kjo parti mund të kontribuojë pastaj në formimin e institucioneve të reja bashkë me Lëvizjen Vetëvendosje.
Në janar të këtij viti Abdixhiku i kishte shpëtuar një procesi votëbesimi në LDK. Dorëheqja e Isa Mustafës pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare të 2021-s, ia pati hapur rrugën një procesi të ri brenda partisë më të vjetër politike në vend. Abdixhiku atë kohë e pati marrë besimin e strukturave të partisë.
Megjithatë, rezultati i zgjedhjeve parlamentare të 2025-s krijoi pakënaqësi brenda partisë rreth udhëheqësisë së tij. Si rrjedhojë, në janar të këtij viti Abdixhiku u përball me një proces votëbesimi, nga i cili arriti ta ruajë pozitën e kryetarit.
