Kreu i rikonfirmuar i LDK-së, Lumir Abdixhiku, konfirmoi se ky subjekt politik nga nesër vazhdon me diskutimet për formimin e institucioneve të reja. Ai falënderoi delegatët e Kuvendit të Jashtëzakonshëm për besimin e ri të dëshmuar ndaj udhëheqjes së tij. “LDK, pas një pushimi të shkurtër, miratoi edhe një deklaratë dhe mori një vendim që ka të bëjë me gjendjen politike në Kosovë.
Delegatët e këtij Kuvendi, me shumicë votash, mbështetën përpjekjen tonë për të siguruar stabilitet institucional në Kosovë dhe për të shmangur zgjedhjet e jashtëzakonshme, të katërtat me radhë”, tha ai.
“Prej këtij momenti, unë heq çështjen e pezullimit të diskutimeve dhe LDK-ja është e hapur të diskutojë për institucionet”, tha ai, teksa shtoi se fillimisht do të definohen parimet e përbashkëta me LVV-në, e më pas do të vijë koha për diskutimet rreth ndarjes së pozitave.
