Vendimi i Kosovës për udhërrëfyesit turistikë trazon politikën dhe

0%

Kryetari i Partisë Progresive Serbe (SNS), Millosh Vuçeviq, ka akuzuar autoritetet në Kosovë se, përmes masave të ligjit për Turizmin, që sipas tij pritet të hyjnë në fuqi më 1 gusht, po synojnë “shuarjen e identitetit serb” në Kosovë.

Vuçeviq, i cili është edhe këshilltar i presidentit të Serbisë për çështjet rajonale, tha se masat e paralajmëruara nga institucionet e Kosovës paraqesin një “përpjekje të hapur për zhdukjen e emrit dhe identitetit serb në Kosovë”.

Në një reagim të publikuar në Instagram, ai pretendoi se, “nën petkun e rregullimit të tregut”, kryeministri Albin Kurti po ndërmerr veprime kundër Kishës Ortodokse Serbe dhe besimtarëve serbë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Vuçeviq kundërshtoi edhe idenë që pelegrinëve serbë t’u ofrohen udhërrëfyes në manastiret e Deçanit, Graçanicës dhe Patriarkanës së Pejës, duke pretenduar se ata do të promovonin, sipas tij, “teorinë e trashëgimisë shqiptare”.

Ai e cilësoi këtë si “falsifikim historik” dhe “përpjekje për të përvetësuar atë që është ndërtuar nga mbretërit dhe perandorët serbë dhe ruajtur nga murgjit serbë ndër shekuj”.

Edhe Dioqeza Rashkë-Prizren ka reaguar për të dytën ditë radhazi ndaj masave të reja që lidhen me vizitat e organizuara në objektet fetare, pasi, sipas saj, grupet e pelegrinëve kanë marrë nga Policia e Kosovës fletushka që njoftojnë për zbatimin e Ligjit për Turizmin nga 1 gushti.

Në reagimin e saj, Eparkia thekson se udhëtimet fetare të pelegrinëve nuk mund të barazohen me turizmin komercial. Sipas saj, manastiret e Kishës Ortodokse Serbe janë “faltore të gjalla”, ku besimtarët shkojnë për lutje dhe shërbesa fetare, e jo si turistë.

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se nga 1 gushti fillon zbatimi i Ligjit për Turizmit, i cili, ndër tjera, parasheh që të gjithë personat që ushtrojnë veprimtarinë e udhërrëfyesit turistik pa licencë në Kosovë do të përballen me masa ndëshkuese, në kuadër të zbatimit të legjislacionit që rregullon këtë profesion.

Vendimi synon të vendosë standarde më të larta në sektorin e turizmit, duke siguruar që vizitorët të udhëhiqen nga profesionistë të certifikuar dhe të licencuar nga institucionet përgjegjëse.

Autoritetet vlerësojnë se formalizimi i profesionit të udhërrëfyesit zyrtar do të ndikojë në rritjen e cilësisë së shërbimeve turistike, mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe ofrimin e informacionit të saktë për vizitorët vendas e të huaj.

Me hyrjen në fuqi të masave ndëshkuese, ushtrimi i profesionit pa licencë nuk do të lejohet më, ndërsa Ministria e Kulturës ka bërë thirrje që të gjithë ata që merren me udhërrëfimin turistik të pajisen me dokumentacionin e nevojshëm për të vazhduar aktivitetin në përputhje me ligjin.

Burimi: Telegrafi