U refuzua nga fansja në skenë gjatë performancës eksplicite, reagon

0%

Usher ka reaguar me humor pas incidentit viral të ndodhur gjatë një prej koncerteve të tij, ku largoi nga skena një fanse që dukej e parehatshme gjatë performancës së tij.

Gjatë koncertit të mbajtur të martën në Protective Stadium në Birmingham të Alabamës, këngëtari vendosi t’u dërgonte një mesazh të qartë personave që fton në skenë për performancën e tij të njohur të këngës “Can U Handle It?”.

“Para se të fillojmë, mos e sillni veten këtu lart nëse nuk doni të jeni këtu”, tha fituesi i tetë çmimeve Grammy, sipas videove të publikuara në rrjetet sociale, shkruan Page Six . Ai shtoi me ironi: “Zoti nuk e do shëmtinë. Por as privilegjin që vjen vetëm nga pamja nuk e pëlqen shumë.”

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Në ato momente, kamerat kapën edhe Chris Brown, i cili është bashkëkryesues i turneut R&B Tour, duke qeshur me deklaratën e kolegut të tij. Më pas, Usher ftoi në skenë një fanse tjetër, e cila u përfshi plot entuziazëm në performancë dhe u bë pjesë e spektaklit, duke marrë duartrokitjet e publikut.

Deklaratat e Usherit erdhën vetëm tri ditë pasi ai largoi nga skena një fanse gjatë koncertit të mbajtur në Nashville, Tennessee. Gjatë interpretimit, këngëtari 47-vjeçar tentoi të afrohej pranë saj, por ajo dukej e tensionuar dhe vazhdimisht largohej, duke mos iu përgjigjur atmosferës së performancës.

“Nuk besoj se ajo dëshiron të jetë në skenë, apo jo?”, iu drejtua ai publikut, përpara se t’i bënte me shenjë stafit që ta largonte nga skena. Më vonë, fansja u identifikua si Gabrielle Cheyenne, e cila reagoi në rrjetet sociale duke iu përgjigjur kritikave që mori.

Ajo zbuloi se fillimisht kishte blerë bileta në zonën pranë skenës së bashku me nënën e saj, por stafi i koncertit i kishte zhvendosur në zonën VIP edhe para fillimit të shfaqjes. Në një intervistë me balerinin e Chris Brown, Lance Savali, Cheyenne theksoi se nuk kishte asnjë problem me Usherin. “Nuk kam asnjë ndjenjë negative ndaj tij. Thjesht ndodhi që dola në skenë”, tha ajo.

Megjithatë, ajo pranoi se reagimi i saj do të kishte qenë krejt ndryshe nëse në skenë do të ishte Chris Brown. “Unë shkova në koncert kryesisht për Chris Brown, nuk kam asgjë kundër Usherit. Natyrisht që reagimi im do të kishte qenë ndryshe me Chris. Nuk do të isha dukur aq e ngrirë, siç po e paraqet interneti”, deklaroi ajo për TMZ.

Edhe Chris Brown është i njohur për ftesat që u bën fansave femra për t’iu bashkuar në skenë gjatë performancave të tij. Vitin e kaluar ai u bë viral pasi i dhuroi një vallëzim sensual Kayla Nicole, ish-partneres së yllit të NFL-së, Travis Kelce, gjatë një koncerti në Los Angeles.

Burimi: Telegrafi