Gjykata e Prishtinës i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji dy të pandehurve me inicialet M.J. dhe M.B., të cilët dyshohen për krime lufte kundër popullatës civile. Vendimi është marrë nga Departamenti Special i Gjykatës së Prishtinës pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe mbajtjes së seancës dëgjimore.
Sipas njoftimit të Gjykatës, gjyqtarja e procedurës paraprake e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale dhe ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji për secilin të pandehur. Gjykata ka vlerësuar se ekziston rreziku real që të pandehurit nëse lihen në liri të arratisen për t’iu shmangur përgjegjësisë penale.
Në arsyetimin e saj thuhet se ky rrezik është më i lartë duke pasur parasysh se të dyshuarit janë shtetas të Serbisë, çka sipas Gjykatës mund t’i bëjë të paarritshëm për organet e drejtësisë në Kosovë.
“Gjykata gjithashtu vlerësoj se nëse të pandehurit lihen në liri, ekziston rreziku që të njëjtit të ndikojnë në prova dhe në dëshmitarë, andaj konstatoi se masa e paraburgimit tani për tani është e vetmja mas, për rrjedhjen e pa penguar të procedurës penale, në këtë çështje penale”- thuhet ndër të tjera në vendim.
Për këto arsye, Gjykata ka konstatuar se paraburgimi është masa e vetme e përshtatshme në këtë fazë të procedurës. Palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese ndaj këtij aktvendimi në Gjykatën e Apelit përmes Gjykatës Themelore. Sipas Prokurorisë, M.
J. dhe M.B. dyshohen se gjatë periudhës së luftës së fundit në Kosovë, më saktësisht gjatë vitit 1999, kanë kryer krime ndaj popullatës civile në rajonin e Mitrovicës. Prokuroria Speciale ka njoftuar se hetimet për rastin janë në zhvillim dhe në këtë fazë nuk do të ketë më shumë detaje publike, për shkak të ruajtjes së integritetit të procedurës penale.
“Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Policia e Kosovës, ka ndaluar dy persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”, të sanksionuar me nenin 142, lidhur me nenin 22 të të Kodit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (RSFJ).” – thuhej në njoftimin e Prokurorisë.
Për arrestimin e dy të dyshuarëve kishte njoftuar edhe Policia e Kosovës . Sipas njoftimit të kësaj të fundit, të lartëcekurit dyshohen se kanë marrë pjesë më në masakrën në Zubin Potok ku janë vrarë 23 civilë shqiptarë.
Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.
Gjykimi i tij në Gjykatën ndërkombëtare penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog pasi Millosheviq kishte vdekur më në qeli teksa po mbahej në paraburgim. Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë.
Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës. Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për krime kundër njerëzimit.
Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës. Vlladimir Llazareviq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për krime kundër njerëzimit.
Sreten Llukiq, ish-shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës. Aktgjykimin të plotë, në gjuhën angleze, e gjeni këtu.
