Një akt i jashtëzakonshëm guximi nga një roje bregdetare 16-vjeçar ka prekur opinionin publik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ryder Williams, një roje sezonale e California State Parks, rrezikoi jetën për të shpëtuar një djalë 10-vjeçar që po mbytej në dallgët e fuqishme të plazhit Seabright në Santa Cruz, raportojnë mediat amerikane.
Ngjarja ndodhi të shtunën rreth orës , kur një valë e madhe rrëzoi fëmijën dhe e tërhoqi rreth 15 metra larg bregut. Deti ishte jashtëzakonisht i trazuar, me dallgë 8 deri në 10 këmbë të larta, të shkaktuara nga fryrja e detit pas Uraganit Genevieve.
Sipas dëshmitarëve, Ryder u hodh menjëherë në ujë, arriti ta kapte djalin dhe nuk e lëshoi në asnjë moment, pavarësisht se të dy zhdukeshin vazhdimisht nën dallgët gjigante. Për rreth dy minuta ai luftoi me detin, duke dalë herë pas here mbi sipërfaqe vetëm për të marrë frymë, ndërsa mbante fort fëmijën derisa një roje tjetër bregdetare ndihmoi në nxjerrjen e tyre në breg.
Fëmija shpëtoi pa lëndime serioze. Pas kontrollit nga ekipet mjekësore, ai u ribashkua me nënën e tij. Ndërkohë, Ryder u kthye në detyrë po atë mbrëmje dhe vijoi punën edhe ditën pasardhëse. Vetëm 16 vjeç, Ryder është në sezonin e tij të parë si roje bregdetare, pasi më parë ishte trajnuar në programin “Junior Guards” të qarkut Santa Cruz.
Kjo është mosha minimale që lejohet për këtë detyrë në Kaliforni. Heroizmi i tij u bë viral në rrjetet sociale. Eric Trump shpërndau videon e shpëtimit duke shkruar: “Jepini këtij 16-vjeçari nderimin më të lartë civil.
Ky është shembulli më i mirë i Amerikës.” Më pas, Presidenti Donald Trump njoftoi se do ta presë Ryderin dhe familjen e tij në Shtëpinë e Bardhë për t’i dorëzuar atë që e quajti një “Nderim të Lartë Civil”, në vlerësim të guximit dhe sakrificës së tij. Edhe më shumë vlerësim mori reagimi i familjes së Ryderit.
Pasi qytetarë të shumtë kërkuan të hapnin një fushatë GoFundMe për ta shpërblyer financiarisht, nëna e tij e refuzoi iniciativën. Ajo u kërkoi të gjithë atyre që dëshironin të ndihmonin që donacionet t’i drejtonin te programi “Junior Guards”, i cili trajnon brezat e rinj të rojeve bregdetare.
