Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” ka reaguar pas incidentit të raportuar gjatë realizimit të detyrave zyrtare nga punonjësit e saj në terren, ku pretendohet se ndaj ekipit të kompanisë është përdorur armë zjarri.
Sipas njoftimit të kompanisë, konsumatori ndaj të cilit po kryhej ndërhyrja ishte furnizuar rregullisht me ujë, por nuk kishte përmbushur obligimet financiare ndaj KRU “Mitrovica”. Kompania ka bërë të ditur se, pavarësisht njoftimeve dhe paralajmërimeve të vazhdueshme, si dhe mundësisë për pagesë apo marrëveshje për shlyerjen e borxhit, detyrimet nuk ishin përmbushur.
“Gjatë ndërmarrjes së veprimeve për çkyçjen nga rrjeti, punonjësit tanë janë përballur me sjellje të dhunshme, ku, sipas informacioneve të deritanishme, ndaj tyre është përdorur armë zjarri”, thuhet në reagimin e kompanisë.
KRU “Mitrovica” ka bërë të ditur se incidenti ka përfunduar pa pasoja në njerëz, ndërsa ka dënuar çdo formë të dhunës dhe kërcënimit ndaj punonjësve gjatë ushtrimit të detyrave të tyre. Kompania u ka bërë thirrje Policisë së Kosovës dhe institucioneve të drejtësisë që ta trajtojnë rastin me seriozitet dhe të ndërmarrin veprimet e nevojshme ligjore për zbardhjen e plotë të tij.
Po ashtu, KRU “Mitrovica” ka kërkuar nga konsumatorët që çështjet lidhur me borxhet dhe pagesat t’i zgjidhin përmes rrugëve institucionale, duke theksuar se dhuna ndaj punonjësve që kryejnë detyrën e tyre nuk do të tolerohet./Telegrafi.
