IMAX/Cineplexx Prishtina në Albi Mall , ka shënuar suksesin më të madh në historinë e formatit IMAX, me filmin “Odisea”. Interesimi i publikut ka tejkaluar çdo pritshmëri, duke vendosur rekorde të reja të shitjeve dhe duke e renditur Cineplexx Prishtinën në Albi Mall ndër kinematë me performancën më të lartë në rajon për këtë premierë.
Që nga dita e parë e shfaqjes, sallat IMAX kanë qenë të mbushura, ndërsa për shkak të kërkesës së jashtëzakonshme janë hapur vazhdimisht orare të reja. Mijëra vizitorë kanë zgjedhur Cineplexx Prishtina në Albi Mall për ta përjetuar filmin në formatin për të cilin është krijuar. “Odisea” nuk është një premierë e zakonshme.
Është filmi i parë artistik në histori i xhiruar tërësisht me kamera IMAX Film, duke e bërë ekranin IMAX mënyrën më autentike për ta parë vizionin e Christopher Nolan. Pikërisht kjo ka bërë që interesi për formatin IMAX të jetë i paprecedentë në mbarë botën dhe edhe publiku në Kosovë i është bashkuar këtij fenomeni.
Përvoja që ofron IMAX në Cineplexx Prishtina shkon shumë përtej ekranit të madh. Teknologjia e avancuar e projeksionit, sistemi gjithëpërfshirës i zërit dhe komoditeti maksimal i sallës krijojnë ndjesinë sikur je pjesë e çdo skene. Çdo pamje është më e madhe, çdo detaj më i qartë dhe çdo moment më intensiv.
Suksesi i “Odisea” në Prishtinë pasqyron edhe suksesin e filmit në nivel ndërkombëtar. Që prej publikimit, filmi ka vendosur rekorde në arkat botërore dhe në formatin IMAX, duke u shndërruar në një nga ngjarjet më të mëdha kinematografike të viteve të fundit. Fakti që është realizuar tërësisht me kamera IMAX e ka bërë këtë format zgjedhjen e parë të publikut në të gjithë botën.
Rekordet e arritura në Cineplexx Prishtina konfirmojnë se publiku në Kosovë kërkon gjithnjë e më shumë përvoja premium dhe se IMAX vazhdon të jetë destinacioni numër një për ata që duan ta përjetojnë kinemanë në nivelin më të lartë. Me “Odisean”, Prishtina nuk ka ndjekur thjesht një fenomen global. Është bërë pjesë e tij, duke vendosur standarde të reja për kinemanë në rajon.
