Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka mirëpritur lajmin për konfirmimin e gjetjes së varrit masiv në fshatin Kalludër të Zubin Potokut. Ajo e ka cilësuar këtë si një zhvillim të rëndësishëm në përpjekjet për zbardhjen e fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur me forcë gjatë luftës.
Haxhiu përmes një postimi në Facebook vlerësoi angazhimin dhe punën profesionale të institucioneve të përfshira në proces, përfshirë Policinë e Kosovës, Institutin e Mjekësisë Ligjore, Komisionin Qeveritar për Personat e Zhdukur, Prokurorinë dhe institucionet e tjera të drejtësisë dhe sigurisë.
Ajo theksoi se rasti po trajtohet me përkushtim dhe përgjegjësi, ndërsa garantoi mbështetjen e saj të plotë për të gjitha fazat e procesit.
Ky proces do ta ketë përkrahjen time të plotë, nga vlerësimi i gjithanshëm i lokacionit, zhvarrimi dhe ekzaminimet mjeko-ligjore, e deri te identifikimi i plotë i viktimave, gjithmonë në përpjekje për t’iu përgjigjur të drejtës së familjeve për të ditur fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve të tyre ”, tha Haxhiu.
