Haxhiu: Serbia nuk mund të flasë për paqe, ndërsa mohon Kosovën dhe

0%

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës dhe ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryetares së Kuvendit serb, Ana Bërnabiq, duke kërkuar dënimin e asaj që e cilësoi si retorikë shoviniste dhe revizioniste.

Haxhiu ka deklaruar se, ndërsa familjet në Kosovë ende presin zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë gjatë regjimit të Sllobodan Millosheviqit, zyrtarët serbë vazhdojnë, sipas saj, me deklarata që mohojnë shtetësinë e Kosovës dhe përsërisin pretendime territoriale ndaj saj.

“Këto deklarata janë vazhdim i gjuhës së mohimit, urrejtjes dhe propagandës mbi të cilën u ngrit politika shoviniste dhe ekspansioniste e regjimit të Millosheviqit”, ka thënë Haxhiu.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Ajo ka theksuar se Serbia nuk mund të pretendojë përkushtim ndaj paqes dhe normalizimit të marrëdhënieve, ndërsa, sipas saj, nuk bashkëpunon për zbardhjen e krimeve të luftës dhe vazhdon ta trajtojë Kosovën si pjesë të territorit të saj. “Kosova është shtet i pavarur dhe sovran që nga 17 shkurti 2008. Ky realitet nuk zhbëhet me deklarata politike”, ka deklaruar Haxhiu.

Kryetarja e Kuvendit ka përmendur edhe mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të vitit 2010, e cila konstatoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare. Sipas saj, Kosova është njohur nga 121 shtete dhe vazhdon të forcojë pozitën e saj ndërkombëtare përmes pjesëmarrjes në organizata dhe mekanizma ndërkombëtarë.

Haxhiu u ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian që të dënojnë, siç u shpreh ajo, “gjuhën shoviniste, revizioniste dhe nxitëse”. “Pretendimet territoriale ndaj një shteti fqinj dhe retorika që përsërit narrativat e regjimit të Millosheviqit nuk kanë vend në Evropën e shekullit XXI”, ka përfunduar Haxhiu.

Burimi: Telegrafi