Qeveria miratoi vendimin për punësimin e 300 specializantëve privatë në institucionet shëndetësore publike deri në fund të vitit 2026. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, ky vendim synon të mbajë mjekët e rinj në vend, të plotësojë mungesën e kuadrit specialistik dhe të forcojë kapacitetet e klinikave, spitaleve dhe qendrave shëndetësore.
Gjithashtu, pritet të sigurojë shpërndarje më të balancuar të personelit mjekësor dhe të shkurtojë kohën e pritjes për pacientët. Ministri i Shëndetësisë Klekovski vlerësoi se ky është një investim në të ardhmen e sistemit shëndetësor dhe në zhvillimin profesional të mjekëve të rinj, duke theksuar se qëllimi është që ata të ndërtojnë karrierën e tyre në vend.
Punësimet do të realizohen sipas nevojave të institucioneve publike shëndetësore, në ato vende ku mungesa e kuadrit specialistik është më e theksuar.
