Protesta e ditës së 60-të para kryeministrisë sot kushtroi nga thirrjet edhe për hetimin e Edi Ramës nga SPAK-u për lejet e ndërtimit që ka lëshuar me KKT-të në zonën bregdetare, hulumtim më i fundit i medias.
Një nga aktivistët që mori fjalën në podium i kushtoi vëmendje pikërisht kësaj ngjarjeje, duke apeluar për drejtësinë që jo vetëm të hetonte këtë skandal të kryeministrit, por edhe ta arrestonte. “Falenderoj gazetarët për hulumtimin e tyre për lejet e dhëna në bregdetin shqiptar për ndërtimet, të lëshuara nga Rama në KKT.
Thirrje për SPAK-un, provë ulëritëse dhe mjafton vetëm kjo për të arrestuar Ramën. Janë afera gjigante të kësaj qeverie, afera ulëritëse. I bëj thirrje SPAK-ut të mos mbyllë sytë dhe të veprojë. Ne nuk do shkojmë me pushime dhe as SPAK mos të shkojë me pushime por të hetojë Ramën he te hulumtojë”, tha aktivisti.
Më tej ai deklaroi se jo vetëm ligji për investimet strategjike dhe lejet duhet të anuloheshin, por edhe të ngriheshin vepra penale dhe të bëheshin arrestime të personave përgjegjës. “Jo vetëm ligji duhet të anulohet, për investimet strategjike, por për këto vepra penale SPAK të arrestojë Ramën. Për projektet e Zvërnecit dhe Rrjollit kemi shumë dritëhije.
Edhe pse kemi 2 muaj që protestojmë ende nuk janë zbardhur lejet. A nuk mjaftojnë këto që SPAK të mos e marrë të pandehur këtë kryeministër, a nuk mjaftojnë këto hulumtime të mos arrestojnë Ramën. Arrestoni Ramën” , përfundoi ai thirrjen e tij para protestuesve në shesh.
