Prokuroria Themelore e Mitrovicës në bashkëpunim me Doganën e Kosovës dhe Policinë kanë ndërmarrë një aksion kontrolli lidhur me falsifikimin e dokumenteve për importimin dhe zhdoganimin e veturave nga Koreja e Jugut dhe kanë sekuestruar 5 vetura.
“Veprimet hetimore janë ndërmarrë në kuadër të hetimeve lidhur me dyshimin e bazuar se të pandehurit, me dashje, në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi, kanë falsifikuar dhe përdorur dokumente të falsifikuara publike gjatë procedurës së importimit dhe zhdoganimit të automjeteve” – thuhet në njoftimin e Sistemin Prokurorial të Kosovës.
Prokuroria pretendon se me , të pandehurit kanë përdorur dokumente të falsifikuara, librezat koreane të automjeteve duke manipuluar të dhënat që lidhen me datën e regjistrimit të parë të automjeteve, konkretisht, në dokumentet përkatëse është ndryshuar viti i regjistrimit të parë nga 2015 në 2016, me qëllim që automjetet të paraqiteshin si jo më të vjetra se dhjetë (10) vjet.
Sipas prokurorisë, dokumentet e falsifikuara dyshohet se janë përdorur gjatë procedurës së importimit dhe zhdoganimit të këtyre 5 veturave.
Prokuroria pretendon se më këto veprime, për secilin prej këtyre 5 automjeteve janë lëshuar Deklarata Unike Doganore (DUD), në të cilat është evidentuar në mënyrë të pasaktë se regjistrimi i parë i automjeteve ishte bërë gjatë vitit 2016, ndonëse nga provat e siguruara deri më tani rezulton se regjistrimi i tyre i parë ishte bërë gjatë vitit 2015.
“Lidhur me këtë rast, ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit, në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi, kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, nga neni 390 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1, lidhur me nenin 31 dhe nenin 77 paragrafi 1 nënparagrafët 1.2, 1.3 dhe 1.4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.” – thuhet në njoftimin e Sistemin Prokurorial të Kosovës.
