Drejtori i Shoqatës Humanitare Bamirëse “Nëna Terezë”, Zef Shala, ka rrëfyer për gjendjen e rëndë të mijëra qytetarëve të strehuar në Xhaminë e Qirezit, në Skenderaj, gjatë vitit 1997. Në një intervistë në “Përballje Podcast”, Shala tha se përfaqësuesit e shoqatës kishin alarmuar institucionet ndërkombëtare se Kosova po i afrohej një katastrofe humanitare shkruan Telegrafi.
Për t’ua dëshmuar situatën në terren, ishte organizuar një vizitë e një delegacioni ndërkombëtar në Qirez. Sipas Shalës, përfaqësuesit e Shoqatës “Nëna Terezë” kishin shkuar në xhami rreth dy orë para mbërritjes së delegacionit. “Kemi shkuar dy orë më herët në Xhaminë e Qirezit. Nuk mund ta merrni me mend se çfarë pamjeje ishte kur hymë brenda”, deklaroi Shala.
Ai tregoi se numri i qytetarëve të strehuar ishte aq i madh, sa hapësira e xhamisë nuk mjaftonte për t’i zënë të gjithë. “Njerëzit dhe fëmijët ishin vendosur në disa nivele, sepse xhamia nuk i zinte. Kishin frikë të dilnin jashtë, sepse kriste pushka”, tha Shala.
Sipas tij, qytetarëve u ishte kërkuar të qëndronin brenda dhe të mos largoheshin deri në mbërritjen e përfaqësuesve ndërkombëtarë, në mënyrë që delegacioni ta shihte gjendjen reale në të cilën ndodheshin. “U thamë se shumë shpejt do të vinte delegacioni ndërkombëtar dhe iu lutëm që të mos largoheshin. Donim që ata ta shihnin vetë situatën”, rrëfeu ai.
Shala tha se ngjarja kishte ndodhur pikërisht ashtu siç kishin parashikuar. Para mbërritjes së delegacionit, forcat serbe, të cilat po e përcillnin situatën, ishin larguar nga zona. Në vizitë, sipas tij, morën pjesë përfaqësues të 13 agjencive ndërkombëtare, të cilët u përballën drejtpërdrejt me pamjet e mijëra njerëzve të ngujuar brenda një objekti të vogël fetar.
“Kur hynë brenda dhe e panë gjendjen, nuk mund ta përshkruanin tronditjen. E panë vetë se në çfarë kushtesh po jetonin njerëzit”, tha Shala. Ai deklaroi se pas kësaj vizite dhe dëshmive të marra nga terreni, situata në Kosovë ishte trajtuar si katastrofë humanitare. “Prej atij momenti, delegacioni u kthye dhe u shpall katastrofë humanitare”, u shpreh Shala.
Në mesin e delegacionit ishte edhe Sadako Ogata, Komisionerja e Lartë e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët në periudhën 1991–2000.
Sipas Shalës, pasi pa nga afër kushtet në të cilat ishin strehuar mijëra qytetarë, Ogata u kthye dhe alarmoi për përmasat e katastrofës humanitare në Kosovë Sipas rrëfimit të tij, pas alarmimit ndërkombëtar në Kosovë nisën të vinin organizata të mëdha humanitare, përfshirë Programin Botëror të Ushqimit, institucionet për refugjatët dhe agjenci të tjera të Kombeve të Bashkuara.
Shala theksoi se dokumentimi i gjendjes në Qirez ishte i rëndësishëm për t’i treguar botës përmasat e krizës dhe kushtet në të cilat po jetonte popullsia shqiptare. Diskutimin e plotë me Zef Shalën mund ta ndiqni këtu:
