Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës thekson se ka mirëpritur aktgjykimin fajësues të shpallur nga Gjykata Themelore në Prishtinë në rastin e krimeve të luftës ndaj të pandehurit Sh.L. Sipas PSRK-së, Prokuroria ka qenë e bindur se pretendimet e paraqitura në aktakuzë kanë qenë të mbështetura në prova konkrete, të dëshmuara edhe në gjykatë.
Në njoftim thuhet se ky aktgjykim ka rëndësi jo vetëm për përgjegjësinë penale të të akuzuarit, por edhe për ruajtjen e sundimit të ligjit, luftimin e krimit dhe forcimin e besimit të publikut në sistemin e drejtësisë.
Sa i përket aktgjykimeve liruese në rastin “Drenica 1” ndaj S.L., I.H., Rr.Rr., F.M., R.Xh., S.T. dhe Sh.J., si dhe në rastin ndaj 13 të akuzuarve për organizim të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm, kontrabandë me mallra, shmangie tatimi dhe shpëlarje të parave, PSRK njofton se, pas pranimit të aktgjykimit të plotë, do ta vlerësojë atë për të vendosur nëse do të ushtrojë ankesë në gjykatën e shkallës së dytë, brenda afateve të përcaktuara me ligj.
Prokuroria Speciale thekson se ushtron kompetencat e saj në mënyrë të pavarur, në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi, në funksion të mbrojtjes së interesit publik dhe forcimit të shtetit të së drejtës.
