Premierliga me një rregull të ri nga sezoni 2026/27

0%

Një rregull i ri në Premierligë, i krijuar për të luftuar “pushimet taktike” të portierëve, do të hyjë në fuqi për sezonin 2026-27. Gjatë shumë ndeshjeve sezonin e kaluar, disa portierë në elitën e futbollit anglez u panë duke simuluar dëmtime përpara se të kërkonin ndërhyrjen e stafit mjekësor.

Kjo taktikë përdorej për të ndërprerë ritmin e lojës, duke i dhënë skuadrës kohë për t’u riorganizuar dhe për të marrë udhëzime nga pankina. Për të ndalur këtë praktikë, këtë sezon do të zbatohet një provë e re.

Sipas rregullit të ri, nëse loja ndërpritet për shkak të një dëmtimi të portierit, trajneri do të jetë i detyruar të zgjedhë një lojtar të fushës që duhet të largohet menjëherë nga fusha. Ai lojtar nuk do të lejohet të rikthehet në lojë për të paktën një minutë pas rifillimit të ndeshjes.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Sipas Premierligës, qëllimi i këtij testi është që dëmtimet e vërteta të vazhdojnë të marrin trajtimin e nevojshëm mjekësor, ndërsa të eliminohet çdo përfitim taktik nga ndalimet e qëllimshme të lojës.

Në një deklaratë të Pro Ref thuhet: “Futbolli anglez ka marrë miratimin nga Bordi Ndërkombëtar i Shoqatës së Futbollit (IFAB) për të zbatuar një provë të re lidhur me dëmtimet e portierëve gjatë sezonit 2026-27, si pjesë e angazhimit të vazhdueshëm për të ruajtur ritmin dhe rrjedhën e ndeshjeve”.

“Ky test, i mbështetur nga Pro Ref, Federata Angleze e Futbollit (FA), Premier League, EFL, WSL Football dhe National League, do të zbatohet në futbollin profesionist të meshkujve dhe femrave në Angli. Ai synon të adresojë rastet kur dëmtimet e portierëve janë përdorur për të ndërprerë ritmin e lojës, për ta ngadalësuar atë ose për të krijuar mundësi për udhëzime taktike”, thuhet tutje.

Megjithatë, ky rregull nuk do të zbatohet në disa raste të veçanta: Kur portieri fiton një goditje dënimi pas një faulli dhe ka nevojë menjëherë për trajtim mjekësor. Kur portieri dhe një lojtar i fushës përplasen me njëri-tjetrin dhe të dy kanë nevojë për ndihmë. Kur portieri është duke gjakosur.

Përveç këtij rregulli të ri, në fuqi do të mbetet edhe rregulli i tetë sekondave për portierët, i cili u prezantua sezonin e kaluar. Gjithashtu, gjyqtarët do të përdorin një numërim mbrapsht prej pesë sekondash kur një lojtar vonon në mënyrë të padrejtë rivënien e topit nga anësorja ose ekzekutimin e goditjes nga porta.

Nëse vonesa kalon pesë sekonda, gjyqtari mund ta japë rivënien anësore për skuadrën kundërshtare, ndërsa një goditje nga porta e vonuar mund të shndërrohet në goditje këndi për kundërshtarin. Një tjetër ndryshim është vendosja e një afati maksimal prej 10 sekondash për lojtarët që largohen nga fusha pas zëvendësimit.

Burimi: Bota Sot