Një klub futbolli nga një fshat me 1,500 banorë do të luajë në grupet

0%

Mjällby AIF ka shkruar historinë duke siguruar për herë të parë pjesëmarrjen në fazën e ligës së një kompeticioni evropian. Kampionët e Suedisë barazuan 0-0 në ndeshjen e kthimit të raundit të dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve ndaj Lincoln Red Imps të Gjibraltarit, duke avancuar me rezultat të përgjithshëm 3-0.

Me këtë sukses, ata kanë siguruar të paktën një vend në fazën e ligës së Ligës së Konferencës. Ky është një tjetër kapitull i jashtëzakonshëm në historinë e klubit, i cili sezonin e kaluar fitoi për herë të parë titullin kampion në Suedi, si dhe ngriti për herë të parë Kupën e Suedisë.

Në raundin e ardhshëm kualifikues, Mjällby do të përballet me fituesin e çiftit Slovan Bratislava – Iberia 1999, ku sllovakët kanë avantazhin 2-0 nga ndeshja e parë. Mrekullia nga një fshat peshkatarësh Mjällby AIF vjen nga Hällevik, një fshat në jug të Suedisë me rreth 1,500 banorë, pjesë e komunës së Sölvesborgut, e cila numëron vetëm rreth 17 mijë banorë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Edhe pse klubi mban emrin e fshatit fqinj Mjällby, ndeshjet si vendas i zhvillon në Hällevik. “Kur kundërshtarët vijnë tek ne, kalojnë mes fermave dhe porteve të peshkimit. Vazhdimisht ecin drejt detit dhe, kur rruga përfundon, mbërrijnë në stadiumin tonë”, ka thënë drejtori sportiv Hasse Larsson për The Guardian .

Stadiumi Strandvallen, me kapacitet rreth 6,000 spektatorë, ndodhet vetëm pak metra larg brigjeve të Detit Baltik. Klubi, i themeluar në vitin 1939, u ngjit për herë të parë në elitën suedeze në fund të viteve ’70, por për dekada të tëra lëvizi mes kategorisë së parë dhe të dytë.

Madje, mes viteve 2015 dhe 2018 garonte në divizionin e tretë, ndërsa në vitin 2016 ishte pranë falimentimit dhe rënies edhe më poshtë. Sukses pa yje të mëdhenj Historia e Mjällbyt bëhet edhe më e veçantë duke parë burimet e klubit.

Sipas Transfermarkt, skuadra vlerësohet rreth 25.8 milionë euro dhe është vetëm e pesta për nga vlera në elitën suedeze, pas klubeve si Malmö, Hammarby dhe Djurgården. Lojtari më i vlefshëm i skuadrës është Elliot Stroud, i cili vlerësohet me tetë milionë euro dhe është pranë një transferimi te Hull City. Skuadra është ndërtuar pa emra të mëdhenj.

Zbulimi i talenteve i është besuar skautit Arvid Franzen, i cili paralelisht punon edhe si postier, ndërsa një rol të rëndësishëm në zhvillimin e klubit ka pasur edhe Karl Marius Aksum, një specialist norvegjez me doktoraturë në perceptimin vizual në futboll.

Edhe pse në kampionatin suedez nuk po kalojnë sezonin më të mirë, kualifikimi historik në arenën evropiane do të mbetet një nga arritjet më të mëdha në historinë e këtij klubi të vogël nga brigjet e Baltikut.

Burimi: Telegrafi