Gjashtë persona janë shoqëruar në Polici, ndërsa tre prej tyre janë ndaluar për 48 orë, pas një aksioni të zhvilluar nga Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë e Prishtinës dhe Doganën e Kosovës.
Sipas njoftimit të Policisë, aksioni është ndërmarrë pas një hetimi që kishte zgjatur për një periudhë më të gjatë dhe pas informatës së pranuar nga Dogana e Kosovës, e cila kishte ndaluar një automjet me targa të Serbisë, në të cilin ishte zbuluar municion i kalibrit 9 mm i fshehur në një bunker të improvizuar.
Më pas, njësitet e Departamentit për Kufi kanë kryer kontrolle në katër lokacione të ndryshme në rajonin e Prishtinës. Në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe konfiskuar: gjashtë armë zjarri (katër të shkurta dhe dy të gjata), 8,919 fishekë të kalibrave të ndryshëm, një shurdhues për armë, 3 mijë e 470 euro dhe një automjet me të cilin është kryer vepra penale.
“Personat e dyshuar janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës, dhe me vendim të prokurorit tre nga ta janë dërguar në mbajtje për 48 orë”- bëhet e ditur në njoftim. Policia e Kosovës thot se në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë dhe Doganën e Kosovës do të vazhdojnë angazhimin drejt parandalimit të veprimtarive të ndyshme kriminale, përfshirë trafikimin e armëve të zjarrit.
