Shpërndaje në: Nacho Fernandez ka zbuluar një nga periudhat më të vështira të jetës së tij, kur në moshën 12-vjeçare u diagnostikua me diabet. Ish-mbrojtësi i Real Madridit tregoi se pas diagnozës së parë, disa njerëz i kishin thënë se duhej të hiqte dorë nga futbolli.
Mbrojtësi spanjoll, i cili kaloi pjesën më të madhe të karrierës te Reali, sot e përdor historinë e tij për të motivuar fëmijët që përballen me të njëjtën sfidë. “Duhet ta harrosh futbollin përgjithmonë, sepse ke diabet. Kur isha i ri, isha shumë krenar që luaja për Real Madridin. Një të premte shkova në spital dhe aty më thanë se duhej ta lija futbollin për shkak të diabetit.
Kalova gjithë fundjavën i shkatërruar. Mund ta imagjinoni se si ishte ajo periudhë që e kalova në spital. Nuk më interesonte diabeti, nuk më interesonte asgjë tjetër. E vetmja gjë që më sillej në mendje ishte se karriera ime në futboll kishte përfunduar. Ishte jashtëzakonisht e vështirë.
Ende sot e kujtoj si një nga momentet më të rënda që kam kaluar në një moshë kaq të re”, ka thënë futbollisti që luan për skuadrën nga Arabia Saudite, Al-Qadsiah, në një intervistë për “AS”. 36-vjeçari u zhvillua si futbollist te klubi mbretëror. Pjesë e skuadrës së parë të Real Madridit ishte nga viti 2012 deri në vitin 2024.
Nacho me “Los Blancos” zhvilloi 364 ndeshje, derisa kontribuoi me 16 gola dhe dhjetë asistime.
