Shpërndaje në: Drejtori i Fondit për të Drejtën Humanitare, Bekim Blakaj, ka deklaruar se pavarësisht marrëveshjes së arritur në Bruksel për çështjen e personave të zhdukur mes Kosovës dhe Serbisë në vitin 2023, nuk ka pasur rezultate konkrete në terren.
Blakaj ka thënë se procesi i identifikimit të varrezave masive kishte stagnuar për vite me radhë, duke theksuar se pas zbulimit të varrezës masive në Kizhevak në vitin 2017 nuk ka pasur identifikime të tjera të varrezave masive deri te kjo e sotmja, ku në fshatin Kalludër e Vogël të Zubin-Potokut kanë nisur të martën gërmimet në një lokacion ku dyshohet për ekzistimin e një varreze masive ku dyshohet se 23 trupat u përkasin intelektualëve nga Mitrovica që nga forcat serbe, ishin zhdukur me forcë gjatë luftës.
“Kishte kohë të gjatë pa gjetur varreza masive. Që nga periudha më 2017 kur u gjet në Kizhevak më s’kemi pasur identifikim të varrezave masive. Zakonisht kanë qenë gjetje individuale, procesi kishte stagnuar krejtësisht. Edhe pse tema e personave të zhdukur ishte përfshirë në dialog, dhe në fund u mbërrit një marrëveshje, ku palët dolën me deklaratë të përbashkët.
Por pavarësisht atij dakordimi, ne s’kemi pa rezultate pozitive në terren, nuk kemi pa një kualitet të ri në këtë proces”, ka deklaruar Blakaj në “Interaktiv” të KTV-së. Ai ka vlerësuar se megjithatë, në përgjithësi, procesi i identifikimit të personave të zhdukur ka shënuar përparim të madh krahasuar me shumë vende të tjera të përfshira nga luftërat.
“Në maj të vitit 2000, Komiteti i Kryqit të Kuq kishte dalë me listën e parë të personave të zhdukur, që kishte mbajtur diku rreth 4500 emra. Ndërsa sot po flasim për më pak se 1600. Pra, me përqindje, është një përqindje e madhe e identifikimit të personave të zhdukur, që nuk ndodh shumë nëpër botë pas luftërave”, ka shtuar ai.
Kosova dhe Serbia arritën pajtueshmëri në vitin 2023 për Deklaratën e përbashkët për personat e zhdukur, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Edhe Arbëri 4 o. më parë Gërmime në Zubin-Potok, dyshohet për trupat e 23 intelektualëve nga Mitrovica Në mesin e zotimeve të bëra ishin qasja e plotë në informacione të besueshme, përfshirë ato me status të klasifikuar, vënia në dispozicion e të gjitha dokumenteve me rëndësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur, si dhe puna e përbashkët përmes një komisioni të kryesuar nga Bashkimi Evropian.
Megjithatë, deri më tani, asnjëra prej këtyre pikave nuk është zbatuar. Në fillim të këtij viti, Kosova dhe Serbia mbajtën takimin e parë të Komisionit të përbashkët për personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë, por ai nuk prodhoi ndonjë rezultat konkret.
