Mbrojtësi i Tottenhamit, Micky van de Ven, ka vlerësuar ambiciet e klubit londinez pas një afati kalimtar të fuqishme verore, ndërsa ka shprehur entuziazmin për ndikimin që ka sjellë trajneri i ri Roberto De Zerbi.
Tottenham ka shpenzuar rreth 237 milionë funte këtë verë për përforcime, duke afruar lojtarë si Mateus Fernandes nga West Hami, Sandro Tonali nga Newcastle dhe Jan Paul van Hecke nga Brighton.
Përveç këtyre transferimeve, “Spurs” kanë siguruar edhe shërbimet e Andy Robertson, mbrojtësit Marcos Senesi dhe portierit Martin Dubravka si lojtarë të lirë, duke ndërtuar një skuadër të re pas një sezoni të vështirë. Pas përfundimit të sezonit të kaluar në vendin e 17-të në Premier League, Van de Ven beson se ndryshimet në klub janë një sinjal i qartë i objektivave më të mëdha.
“Është shumë mirë të shohësh se klubi ka bërë ndryshime. Mund të shohësh një ambicie të re dhe kjo është diçka shumë e rëndësishme për lojtarët që kanë qenë këtu për një kohë të gjatë. Sezoni i kaluar ishte stresues dhe i papranueshëm nga ana jonë. Tani duhet ta lëmë pas atë dhe të fillojmë sezonin e ri me energji të re”, ka thënë Van de Ven.
Mbrojtësi holandez ka folur edhe për ndikimin e Roberto De Zerbit, i cili ka marrë drejtimin e Tottenhamit dhe sipas tij ka rikthyer energjinë dhe mentalitetin pozitiv në skuadër. “Mund të shihni se ai ka sjellë shumë pasion në grupin tonë, shumë mentalitet dhe dëshirë në fushë. Kjo ishte diçka që na mungonte, pasi të gjithë ishim paksa të dëshpëruar.
Ai sjell shumë energji pozitive dhe gjatë fazës përgatitore kemi pasur kohë të mjaftueshme për të kuptuar futbollin e tij.” Investimet e Tottenhamit këtë verë janë dukshëm më të mëdha se të klubeve të tjera të Premier League, teksa klubi londinez synon të ndërtojë një skuadër që do të rikthehet në garën për objektiva të mëdha dhe kualifikim në kompeticionet evropiane.
