Analisti i sigurisë, Avni Islami, tha se po vazhdon lufta hibride dhe propaganda e Serbisë kundër institucioneve të Kosovës!
“I ashtuquajturi Drejtor i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, paska deklaruar se kinse pjesëtarët e Policisë së Kosovës dëshironin një “Gazimestan të ri” dhe synonin të provokonin situatën gjatë kremtimit të festës në Manastirin e Kryeëngjëllit të Shenjtë në Prizren.
Kjo deklaratë është vetëm vazhdimësi e narrativës së njohur të Beogradit, sipas së cilës institucionet tona ushtrojnë “presion sistematik” ndaj komunitetit serb dhe cenojnë të drejtat e tyre fetare, civile dhe mediale. Nuk ka dyshim se shteti serb asnjëherë nuk e ka ndarë pushtetin nga kisha, duke e shfrytëzuar atë hapur për qëllime politike” , ka shkruar Islami në “Facebook”.
Sipas tij, përmes këtyre skenarëve, Beogradi tenton të konsolidojë mesazhin e rremë se në Kosovë po kufizohen liritë e serbëve, ndërsa organizimin paqësor të ceremonive fetare e paraqet si dëshmi të “unitetit dhe qëndrueshmërisë” së tyre.
“E vërteta është krejt ndryshe: Policia e Kosovës kujdeset çdo ditë për ruajtjen e rendit, ligjit, si dhe për jetën dhe pronën e çdo qytetari në Republikën e Kosovës, pa asnjë dallim. Kohët e fundit po përballemi me një koordinim dhe sinkronizim të qartë të deklaratave agresive ndaj vendit tonë nga krerët serbë (Paunoviq, Vuçiq, Petkoviq etj.).
Kjo është lufta hibride e Serbisë për të fituar terren, për të propaganduar para faktorit ndërkombëtar dhe për të luajtur rolin e viktimës. Por, fuqia dhe stabiliteti ynë në aspektin e sigurisë mbeten të palëkundura!”, tha ai.
