Nga: Endrit Makolli Shpërndaje në: Tre gola dhe dy asistime në garat evropiane janë dëshmia më e mirë e formës që po kalon Kreshnik Uka me Malishevën. Sulmuesi 31-vjeçar është shndërruar në një prej lojtarëve më të rëndësishëm të skuadrës së Malishevës në rrugëtimin historik evropian. Uka ishte vendimtar në momentet kyçe të ekipit malishevas.
Ai vetëm më 25 qershor iu bashkua Malishevës nga Drenica. Dhe nisi furishëm. Malisheva shkroi histori të klubit duke u kualifikuar për herë të parë në rundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës. Në dy pjesëmarrjet e mëparshme, skuadra malishevase ishte eliminuar që në raundin e parë kualifikues. Në raundin e parë kualifikues, Malisheva e eliminoi Vllazninë e Shkodrës.
Në Shkodër, Vllaznia fitoi 2:1. Por në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali, Malisheva shkëlqeu për fitore 5:0. Në ndeshjen kthyese ndaj Vllaznisë, Uka realizoi dy gola dhe bëri një asistim. Uka shkëlqimin e vazhdoi edhe në ndeshjen e parë të raundit të dytë kualifikues ndaj klubit të madh skocez, Hibernian.
Në ndeshjen që u zhvillua të enjten në stadiumin “Fadil Vokrri”, Uka shënoi gol dhe bëri asistim në fitoren 2:0. Pavarësisht fillimit të mbarë, Uka mbetet me këmbë në tokë. “Forma ime është falë Zotit, për shkak të mundësisë të luajë pa lëndime dhe gjithashtu falë shokëve të ekipit të cilët ma bëjnë më të lehtë dhe më kanë pritur mjaft mirë.
Ata kanë kontribuar që unë të jem në formën më të mirë të mundshme. Kam punuar shumë tash e sa vjet, prandaj e kam pritur këtë kontribut për klubin dhe bashkëlojtarët. Nuk besoj se jam në formën apo kulmin e karrierës, pasi shpresoj se më pret një rrugë e gjatë dhe më e suksesshme në të ardhmen. Normalisht kjo arrihet vetëm me punë”, ka thënë Uka të dielën për KOHËN.
Malisheva ndeshjen kthyese ndaj Hibernianit e luan të enjten e ardhshme në Edinburgh të Skocisë. Sulmuesi me përvojë thotë se rezultati 2:0 nuk është i mjaftueshëm. Është i vetëdijshëm për ndeshjen e vështirë që e pret skuadrën malishevase në Skoci. “Shpresojmë t’i arrijmë grupet e ‘Conference League’ me Malishevën dhe të bëjmë histori.
Do jetë ndeshje shume e vështirë pasi të gjithë e dimë se në futboll nuk ka garanci absolute. Na pret një stadium i vështirë dhe jemi të vetëdijshëm për këtë”, ka deklaruar Uka. Uka në edicionin e kaluar luajti për Drenicën. U shpall golashënuesi më i mirë në Superligë me 19 gola të shënuar, ndonëse Drenica nuk arriti synimet. Uka ka luajtur edhe te Prishtina.
Në fazën e dytë kualifikuese të Ligës së Konferencës paraqiten edhe Drita, Ballkani e Dukagjini. Por Malisheva është në pozitën më të mirë para ndeshjeve të kthimit, ndonëse e pret ndeshje shumë sfiduese në Skoci.
