Të akuzuarit në rastin e njohur si “Veteranët” kanë dalë sot, më , për herë të dytë para kolegjit gjykues të Gjykatës së Apelit. Në këtë proces të akuzuar janë: Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.
Ata akuzohen se si anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin dhe rregullat e përcaktuara nga vetë Komisioni – duke ua mundësuar dhe njohur personave të tjerë statusin e veteranit luftëtar të UÇK-së që të përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme.
Me të filluar seanca e sotme nga Gjykata u bë e ditur se ankesë kundër vendimit të Themelores ka parashtruar Prokuroria sa i përket pjesës liruese të aktgjykimit dhe vendimit lidhur me lartësinë e dënimit.
Ankesë kundër aktgjykimit të Themelores kanë parashtruar edhe mbrojtësit e të akuzuarve Agim Çeku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari, ndërsa përgjigje në ankesë të Prokurorisë kanë parashtruar mbrojtësit e të akuzuarve Nuredin Lushtaku dhe Smajl Elezaj.
Ndërsa Prokuroria e Apelit ka propozuar që ankesat e mbrojtjes të refuzohen dhe ankesa e Prokurorisë të aprovohet. Mbrojtësi i të akuzuarit Agim Çeku, avokati Ramë Gashi, tha se mbetet në tërësi pranë ankesës së parashtuar me kërkesë kryesore – që Gjykata e Apelit aktgjykimin e ankimuar ta ndryshojë dhe të mbrojturin e tij ta lirojë nga akuza.
Sipas Gashit është dëshmuar pafajësia e të mbrojturit të tij dhe të akuzuarve të tjerë. Sipas avokatit Ramë Gashi kjo çështje penale ka arritur parashkrimin absolut të ndjekjes penale.
“Në këtë çështje penale kemi parashkrim absolut të ndjekjes penale saktësisht më , pasi ajo është dita e fundit që aktgjykimi i kundërshtuar e parasheh si veprim inkriminues më saktësisht dita e fundit kur ka përfunduar mandati i Komisonit me vendim të Qeverisë.”-tha avokati Gashi.
Sipas avokatit Eset Berisha, i cili mbron të akuzuarin Sadik Halitjaha, në rastin konkret ku i mbrojturi i tij po akuzohet nuk janë përmbushur elementet e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare. Sipas Berishës, aktgjykimi i shkallës së parë nuk i përmbush standardet ligjore të vërtetimit të fajësisë. I njëjti kërkoi lirim nga akuza për të mbrojturin e tij.
Mbrojtësi i të akuzuarit Shkumbin Demalijaj, avokati Arianit Koci, tha se të gjithë të akuzuarit nuk kanë faj për çka po akuzohen, andaj edhe kërkoi lirim nga akuza. Lirim nga akuza për të mbrojturit e tyre nga Gjykata e Apelit kërkuan edhe mbrojtësit e të akuzuarve Qelë Gashi dhe Shukri Buja, avokatët Gafurr Elshani dhe Fadil Jashari.
Mbrojtësja e të akuzuarit Ahmet Daku, avokatja Kadina Bogaj-Thaqi, po ashtu deklaroi se mbetet në tërësi pranë ankesës së parashtruar kundër akgjykimit të Themelores dhe kërkoi nga Apeli aktgjykim lirues për të mbrojturin e saj. Ndërsa, avokati Artan Qerkini, i cili mbron të akuzuarin Rrustem Berisha, tha se aktgjykimi i shkallës së parë është kundërthënës.
Sipas Qerkinit, Gjykata e shkallës së parë nuk ështe e sigurt se Ika ka vendosur. Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Faik Fazliu, avokati Naim Rudari, tha se në këtë rast do të duhej të ketë aktgjykim refuzues.
Rudari i kërkoi Gjykatës së Apelit që këtë çështje ta vlerësojë në të gjitha pikat, pasi sipas tij në këtë çështje ka vetëm aktygjykim lirues, nuk ka vendim tjetër përveçse parashkrimit dhe të ketë aktgjykim refuzues.
Avokati Genc Humolli, mbrojtës i të akuzuarit Fadil Shurdhaj, tha se mbrojturi i tij nuk ka qenë pjesë e komisionit verifikues dhe se të gjitha veprimet i ka marrë në pajtim me rregulloren. Humolli kërkoi nga Gjykata që ankesën e Prokurorisë ta refuzojë si ta palejuar.
Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Xhavit Jashari, avokati Mërgim Himaj, tha se e kundërshton aktgjykimin e shkallës së parë pasi e njëjta nuk i ka marrë për bazë rekomandimet e Gjykatës së Apelit. Sipas Jasharit, i mbrojturi i tij nuk është fajtor për veprën e cila i vihet në barrë.
Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Nuredin Lushtaku, avokati Tahir Rrecaj, tha se mbetet në tërësi pranë përgjigjes në ankesë të Prokurorisë dhe sipas tij ankesa e Prokurorisë është e pabazuar.
Rrecaj tha se në mbledhjen e 26-të, në të cilën ka marrë pjesë Nuredin Lushtaku, nuk është marrë asnjë vendim për njohjen e kategorive të dala nga lufta, dhe të gjitha katër pikat e rendit të ditës kanë shqyrtuar pika të ndryshme. Sipas Rrecajt roli i Lushtakut në këtë mbledhje ka qenë konstruktiv. Ai kërkoi nga Gjykata që aktgjykimi lirues ndaj të mbrojturit të tij të vërtetohet.
Ndërsa i akuzuari Nuredin Lushtaku tha se e mbështet deklarimin e avokatit të tij dhe tha se i përshëndet prokurorët. “E mbështes deklarimin e avokatit tim, dhe i përshëndes prokurorët që na kanë pru qëtu” – tha i akuzuari Nuredin Lushtaku.
Mbrojtësi i të akuzuarit Smajl Elezaj, avokati Nystret Ismajli, tha se i mbrojturi i tij nuk ka qenë person zyrtar dhe nuk i ka përmbushur kushtet e personit zyrtar pasi nuk ka qenë i emëruar nga Qeveria. Ndryshe, të gjithë mbrojtësit e të akuzuarve thanë se në këtë çështje penale ka arritur parashkrimi absolut.
Të akuzuarit të cilët ishin prezentë në seancë: Agim Çeku, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Faik Fazliu, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari deklaruan se i mbështesin deklarimet e avokatëve të tyre. Ndërsa, Shkumbin Demaliaj, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha dhe Smajl Elezaj nuk ishin të pranishëm në seancë. Nga radhët e Prokurorisë së Apelit nuk prezantoi askush në seancë.
Pas deklarimit të palëve, Gjykata i njoftoi palët se vendimin e Apelit do ta pranojnë në afat ligjor përmes Gjykatës së shkallës së parë. Trupi gjykues që po e trajton këtë çështje penale në Gjykatën e Apelit është i përbërë: Mentor Bajraktari (kryetar), Valon Kurtaj (gjyqtar referues) dhe Vaton Dërguti (anëtar).
Agim Çeku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari nga Gjykata e Prishtinës më në rigjykim janë dënuar me 1 vit dënim me burgim secili veç e veç, për – keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Ndërsa, Nuredin Lushtaku dhe Smajl Elezaj ishin liruar nga akuza pasi nuk ishte provuar se kanë kryer veprën penale, pasi të njëjtit nuk kanë pasur cilësinë e personave zyrtarë. Kjo çështje penale në rigjykim është trajtuar nga trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët: Gazmend Bahtiri (kryetar), dhe Ngadhnjim Arrni e Kushtrim Shyti (anëtarë).
Ndërsa aktakuza është përfaqësuar nga prokurori Valdet Gashi. Kujtojmë që kjo çështje penale ishte në rigjykim pasi që Apeli kishte kthyer lëndën në pikën zero për t’u gjykuar përsëri pas vendimit të Themelores, me të cilën i kishte liruar nga akuza të pandehurit për këtë rast.
Prokuroria Speciale që nga viti 2018 po i akuzon 12 persona, në krye me Agim Çekun, për – keqpërdorim të detyrës gjatë kohës sa ishin pjesë e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Veteranëve të Luftës.
Agim Çeku dhe të tjerët akuzohen se gjatë kohës kur kanë qenë anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, në mënyrë të qëllimtë nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre dhe i kanë keqpërdorur të njëjtat në mënyrë që të tjerëve t’u sjellin përfitim pasuror.
Gjithnjë sipas aktakuzës, anëtarët e Komisionit duke vepruar në kundërshtim me ligjin dhe rregullat e përcaktuara nga vetë Komisioni ua kanë mundësuar dhe njohur personave të tjerë që të përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme statusin e veteranit luftëtar të UÇK-së.
Rasti kishte ngjallur shumë debate në publik, pasi prokurori i cili e kishte hetuar dosjen e veteranëve ishte larguar nga Kosova. Menjëherë pas lirimit të 12 të akuzuarve ish-prokurori Elez Blakaj kishte reaguar duke e konsideruar si të qëllimshëm lirimin e tyre, pasi sipas tij nuk ishin administruar as gjysma e provave. “Ashtu siç pritej, edhe ndodhi!
Në një proces gjyqësor ku publiku nuk ka parë e dëgjuar as 1% të provave materiale, duke e deformuar qëllimisht dhe në vazhdimësi rastin, e me avokat ‘me përvojë të jashtëzakonshme ushtarake’, pothuajse nga të gjitha anët, rezultati nuk mund të ishte ndryshe.” – kishte shkruar Blakaj . Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni duke klikuar këtu .
