Nga: Elda Islami Shpërndaje në: Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur të rihapë gjykimin ndaj Millorad Gjokoviqit, i akuzuar për krime lufte ndaj popullsisë civile shqiptare. Shkak për këtë vendim është përmendur pamundësia për të gjetur një deklaratë të një dëshmitareje që ajo e ka dhënë menjëherë pas luftës.
Vendimi ka hasur në kritikë të një të mbijetuari të krimit serb, që tha se me këtë proces po merret tash e 1500 ditë I mbijetuari dhe dëshmitari, Halit Gashi, ka kritikuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për rihapjen e shqyrtimit gjyqësor ndaj të akuzuarit për krime lufte Milorad Gjokoviq, duke thënë se procesi po zgjatet pa nevojë.
Gjykata ka marrë vendimin në pamundësi për të gjetur deklaratën që dëshmitarja Nurije Krasniqi thotë se e ka dhënë në polici pas përfundimit të luftës. Deklarata nuk është gjetur as në Institutin për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë. Por dëshmitari Gashi thotë se janë bërë plot 1.489 ditë që gjykata po e trajton këtë rast.
Po ashtu ka thënë se Nurije Krasniqi është marrë në pyetje më shumë se një herë. “Shumë. Shumë e panevojshme. Është marrë në pyetje, tri herë është marrë Nurije Krasniqi për masakrën që i ka bërë familjes Krasniqi, Morina dhe Shala. Tri herë është marrë në pyetje.
Herën e parë kur ka dëshmuar, këta avokatët e të pandehurit nuk ishin të gatshëm për të bërë pyetje e kundërpyetje, ndërsa herën e dytë dhe të tretë u munduan të gjenin diçka aty. E sidomos në fjalën përfundimtare, më 21 korrik, të martën e kaluar, çdo pikë, presje, fjalë e fjali që ka paraqitur mbrojtësi i të pandehurit ka qenë e pavërtetë.
Krejt të pavërteta”, ka deklaruar dëshmitari Gashi. E kryetarja e trupit gjykues, Donika Shala-Abdyli, ka thënë se gjykata ka vlerësuar se ende nuk janë shteruar të gjitha mundësitë për sigurimin e kësaj prove. Edhe Arbëri 15 jan 2026 Liderët politikë bëjnë homazhe në Reçak “Nurije Krasniqi ka deklaruar se për rastin ka deklaruar edhe më parë në polici menjëherë pas luftës.
Pavarësisht që nuk i është kujtuar data e dhënies së dëshmisë. Duke vepruar në bazë të mbrojtjes së të akuzuarve, gjykata i është drejtuar Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë për të kërkuar deklaratën e dëshmitares Nurije. Në përgjigje të kësaj kërkese, instituti kishte njoftuar se nuk e posedon një deklaratë të tillë.
Trupi gjykues, me rastin e analizimit të lëndës, ka vlerësuar se, me qëllim të sqarimit të plotë, është e nevojshme rihapja e shqyrtimit gjyqësor. Kjo për faktin se dëshmitarja ka deklaruar nën betim se pas luftës kishte dhënë deklaratë për rastin para organeve policore”, ka thënë Shala-Abdyli.
Ajo ka thënë se deklarata do të kërkohet fillimisht në stacionin policor në Pejë, ndërsa, sipas nevojës, edhe në institucionet ndërkombëtare që kanë vepruar në Kosovë pas luftës, përfshirë UNMIK-un dhe EULEX-in. Nëse dokumenti nuk gjendet, dëshmitarja mund të thirret për të dëshmuar para gjykatës.
Aktakuza e Prokurorisë e ngarkon Gjokoviqin se gjatë viteve 1998-1999, në fshatin Ozdrim të Pejës dhe zonat përreth, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në vrasje, tortura, arrestime, maltretime, dëbime dhe akte të tjera çnjerëzore ndaj civilëve shqiptarë. Ai akuzohet gjithashtu për plaçkitje, djegie dhe shkatërrim të pronës së popullsisë civile.
Sipas aktakuzës, gjatë ofensivës në Ozdrim janë vrarë gjashtë civilë shqiptarë, tre të plagosur janë ekzekutuar pasi ishin trajtuar në spital, ndërsa pesë persona vazhdojnë të jenë edhe sot të zhdukur. Procesi gjyqësor ndaj Gjokoviqit ka nisur më 20 korrik të vitit 2023.
