Rihapet gjykimi ndaj të akuzuarit për krime lufte, Millorad Gjokoviq

0%

Millorad Gjokoviq priste që në seancën e sotme, më , ta dëgjonte verdiktin e gjykatës së shkallës së parë për veprën e cila i vihet në barrë.

Gjokoviq akuzohet se gjatë viteve 1998-1999 në fshatin Ozdrim të Pejës dhe fshatrat përreth, në kundërshtim me rregullat e së drejtës ndërkombëtare, kishte aplikuar masat e vrasjes, bastisjes, rrahjes, keqtrajtimit, arrestimit, torturës, trajtimit në mënyrë mizore dhe çnjerëzore.

Por trupi gjykues i përbërë nga Donikë Shala Avdyli – kryetare, si dhe Vesel Ismajli dhe Kujtim krasniqi – anëtarë, mori vendim që ta rihapë shqyrtimin e gjykimit për këtë rast me arsyetimin se njëra nga dëshmitaret kur kishte dhënë dëshminë e saj pranë kësaj gjykatë kishte deklaruar se lidhur me këtë rast vite më parë kishte dhënë deklaratë para organeve policore.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Kjo deklaratë, nga Gjykata e Prishtinës ishte kërkuar edhe tek Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, por që kishte rezultuar pa sukses. Sipas arsyetimit të Gjykatës, deklarata e dëshmitares ishte dhënë menjëherë pas luftës. Gjykata e ka konsideruar esenciale këtë provë për qartësim të plotë dhe të drejtë të gjendjes faktike.

Në këtë rast, Gjykata ka çmuar se nuk janë shteruar të gjitha mundësitë për sigurimin e kësaj prove, andaj është e nevojshme të kërkohet ekzistimi i saj pranë stacionit policor në Pejë dhe Vitomiricë, dhe sipas nevojës edhe pranë institucioneve ndërkombëtare që kanë vepruar në Kosovë pas luftës, si UNMIK dhe EULEX, në mënyrë që vendimi përfundimtar të mbështetet në një administrim sa më të plotë të provave, ndërsa nëse sigurohet kjo dëshmi dhe varësisht nga gjetjet, dëshmitarja N.K. mund të ftohet të dëgjohet përsëri në Gjykatë.

Kujtojmë se në shqyrtimin fillestar të datës , i njëjti para Gjykatës së Prishtinës nuk e kishte pranuar fajësinë për veprat që i ngarkoheshin. “Nuk jam fajtor” – kishte qenë përgjigjja e të akuzuarit.

Në seancën e datës , prokurori i rastit, Ilir Morina, në fjalën përfundimtare tha se pas administrimit të provave gjatë shqyrtimit gjyqësor Prokuroria konsideron se është provuar përtej dyshimit të bazuar se i pandehuri Millorad Gjokoviq, i njohur me nofkën “Mici”, në bashkëkryerje me forcat paramilitare serbe ka marrë pjesë në kryerjen e krimeve të luftës në fshatin Ozdrim dhe fshatrat përreth të komunës së Pejës më .

Çka thuhet në aktakuzë? Sipas aktakuzës, i pandehuri gjatë kohës së luftës në Kosovë, gjatë viteve 1998-1999, në fshatin Ozdrim të Pejës dhe fshatrat përreth Pejës, në kundërshtim me rregullat e të drejtës ndërkombëtare ka aplikuar masat e vrasjes, bastisjes, rrahjes, maltretimit, arrestimit, torturës, trajtimit në mënyrë mizore dhe çnjerëzore.

I njëjti tutje ka dëbuar dhe deportuar dhjetëra civilë shqiptarë si dhe ka aplikuar masat e mbajtjes në kushte të skllavërisë. Personat që kanë qenë të dëmtuar nga këto veprime të të pandehurit kanë qenë shqiptarë, të cilët nuk kanë marrë pjesë në konflikt.

Gjithnjë sipas dosjes së Prokurorisë, i pandehuri në mëngjesin e majit të vitit 1999, duke marrë pjesë në së bashku me forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, fillimisht e kanë rrethuar fshatin Ozdrim, e pastaj kanë filluar një ofensive ushtarake-policore. Fshati ishte rrethuar e më pas ishte sulmuar nga tri drejtime nga forcat ushtarake-policore serbe.

Nga këto veprime kishin mbetur të vrarë gjashtë persona, të cilët ishin civilë të nacionalitetit shqiptar e tre të tjerë kishin mbetur të plagosur. Tre të fundit pas plagosjes u dërguan fillimisht në Spitalin e Pejës e më pas u ekzekutuan dhe u varrosën në fshatin Lutogllavë.

Kurse pesë persona të tjerë gjatë kësaj ofensive ishin vrarë por trupat e tyre asnjëherë nuk janë gjetur dhe sot figurojnë në listën e personave të zhdukur.

Tutje në aktakuzë thuhet se në po të njëjtin aksion ushtarako-policor, ku bën pjesë edhe i pandehuri, rreth 40 persona u arrestuan të cilët u dërguan në një garazh të quajtur “Shupa e Shemit”, vend ky i cili gjendej pranë nënstacionit policor në Ozdrim. Aty të njëjtit ishin mbajtur për rreth 3 ditë në kushte çnjerëzore në kundërshtim me të gjitha rregullat e të drejtës ndërkombëtare.

Të njëjtit ishin privuar nga ushqimi dhe uji i pijshëm, duke i torturuar fizikisht të arrestuarit, e ku pas tri ditëve, vetëm 12 prej tyre ishin liruar. Kurse për 28 prej tyre, i kanë ndarë në tri grupe e i kanë transportuar në Pejë, në një shtëpi private ku ka qenë e vendosur komanda e ushtrisë serbe.

Aty të njëjtit janë marrë në pyetje duke u torturuar e keqtrajtuar në mënyre mizore deri në momentin kur i kanë dërguar në burgun e Pejës, e nga aty i kanë dërguar në burgun e Leskovcit në Serbi, ku kishte vazhduar tortura. Deri sa në fund ishin liruar pas përfundimit të luftës me ndihmën e Kryqit të Kuq. Raportimet e tjera lidhur me këtë rast mund t’i gjeni këtu .

Gjykimet për krimet e luftës Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.

Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq ishte akuzuar për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të kryera edhe në luftërat në Bosnjë dhe Hercegovinë, si dhe në Kroaci.

Gjykimi i tij në Gjykatën ndërkombëtare penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog pasi Millosheviq kishte vdekur më në qeli teksa po mbahej në paraburgim. Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë.

Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës. Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për krime kundër njerëzimit.

Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës. Vlladimir Llazareviq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për krime kundër njerëzimit.

Sreten Llukiq, ish-shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës. Aktgjykimin të plotë, në gjuhën angleze, e gjeni këtu . www.kallxo.com

Burimi: Kallxo