Botuesi i gazetës “Bota Sot”, Xhevdet Mazrekaj, ka ngritur çështjen e vrasjeve të pazbardhura të pasluftës në Kosovë, duke kërkuar përgjigje për faktin se edhe pas më shumë se dy dekadash shumë prej këtyre rasteve vazhdojnë të mbeten pa një epilog të plotë.
Në një postim në Facebook, Mazrekaj ka thënë se moszbardhja e vrasjeve të figurave politike, intelektuale, ushtarake e publike vazhdon të jetë një nga plagët më të rënda të Kosovës së pasluftës. Ai ka ngritur në veçanti pyetjen për SHIK-un, duke iu referuar pretendimeve të bëra ndër vite për profesionalizmin dhe shtrirjen e këtij shërbimi.
“Nëse SHIK-u ishte një shërbim aq profesional dhe aq mirë i informuar sa është pretenduar ndër vite, si është e mundur që nuk ndihmoi në zbardhjen e këtyre vrasjeve?”, ka shkruar Mazrekaj. Sipas tij, një strukturë që pretendonte se kishte informacione dhe një rrjet të gjerë në vend do të duhej të ishte në gjendje të kontribuonte në identifikimin e autorëve të atentateve dhe vrasjeve.
“Një shërbim që pretendonte se kishte informacion dhe strukturë në gjithë vendin do të duhej të ishte ndër të parët që do të ndihmonte në identifikimin e autorëve të atentateve. Një gjë e tillë do t’i shërbente Kosovës, drejtësisë dhe njëkohësisht do të hiqte çdo hije dyshimi mbi vetë atë strukturë”, ka theksuar ai.
Mazrekaj më pas ka shtruar pyetjen nëse mungesa e rezultateve ishte pasojë e paaftësisë, mungesës së informacionit apo mungesës së vullnetit. “Prandaj pyetja mbetet: Ishte mungesë aftësie, mungesë informacioni apo mungesë vullneti?”, ka shkruar ai. Megjithatë, Mazrekaj ka theksuar se përgjegjësia për moszbardhjen e vrasjeve të pasluftës nuk mund t’i faturohet vetëm një strukture.
Ai ka kujtuar se në Kosovën e pasluftës përgjegjësi për sigurinë, hetimet dhe sistemin e drejtësisë kanë pasur, në periudha të ndryshme, edhe misionet ndërkombëtare dhe institucionet vendore. Sipas Mazrekajt, pikërisht fakti që pas kaq shumë vitesh familjet dhe opinioni publik vazhdojnë të mos kenë përgjigje për shumë raste përbën një dështim serioz institucional dhe moral.
“Kanë kaluar më shumë se dy dekada, por për shumë prej këtyre rasteve familjet dhe opinioni publik ende nuk e dinë kush urdhëroi, kush organizoi dhe kush kreu krimet”, ka shkruar ai. Mazrekaj vlerëson se zbardhja e këtyre rasteve nuk duhet parë vetëm si çështje e së kaluarës, por edhe si një provë për funksionimin e shtetit të së drejtës në Kosovë.
“Sot, pas kaq shumë vitesh, moszbardhja e këtyre rasteve nuk është vetëm një borxh ndaj viktimave dhe familjeve të tyre. Është një dështim i drejtësisë dhe i shtetit”, ka theksuar ai. Në fund, Mazrekaj ka kërkuar që çështja e vrasjeve të pazbardhura të mos harrohet dhe që institucionet të vazhdojnë kërkimin e së vërtetës.
“Kosova nuk mund ta ndërtojë plotësisht të ardhmen duke lënë në errësirë një pjesë kaq të dhimbshme të së kaluarës së saj. Familjet meritojnë të vërtetën. Shoqëria meriton të vërtetën. Kosova ua ka borxh drejtësinë atyre që u vranë”, ka përfunduar Mazrekaj.
