Shoqëritë demokratike nuk maten vetëm nga shkalla e lirisë së shprehjes, por edhe nga aftësia për ta ushtruar atë me përgjegjësi. Pikërisht këtu qëndron dallimi ndërmjet demokracisë kushtetuese dhe anarkisë së fjalës. E para ndërtohet mbi sundimin e ligjit; e dyta mbi bindjen se individi mund të jetë mbi ligjin. Kosova po hyn në një fazë ku ky dallim po zbehet gjithnjë e më shumë.
Në emër të satirës, ironisë, provokimit apo “lirisë absolute”, po krijohet përshtypja se çdo gjë lejohet dhe se çdo kufizim ligjor përbën cenim të demokracisë. Ky është një keqkuptim i rrezikshëm. Në asnjë demokraci serioze liria e shprehjes nuk është absolute. Ajo mbrohet fuqishëm, por ushtrohet brenda rendit kushtetues dhe juridik.
Kushtetutat moderne dhe jurisprudenca ndërkombëtare e trajtojnë lirinë e shprehjes si një nga shtyllat e demokracisë, por njëkohësisht pranojnë se ajo nuk mund të përdoret për të cenuar të drejtat e të tjerëve, rendin publik apo vetë themelet e shtetit demokratik. Satira, pa dyshim, është pjesë e traditës demokratike.
Ajo ka luajtur rol të rëndësishëm në kritikën e pushtetit dhe të fenomeneve shoqërore. Mirëpo, satira nuk është një licencë juridike që e përjashton autorin nga përgjegjësia. Nuk është emërtimi i një shkrimi ai që e përcakton karakterin juridik të tij, por përmbajtja, qëllimi dhe pasojat që mund të prodhojë.
Paradoksi që po shfaqet në Kosovë është se disa individë, pa asnjë legjitimitet demokratik dhe pa asnjë përgjegjësi institucionale, përpiqen ta imponojnë veten si arbitra të së vërtetës publike. Ata kërkojnë liri të pakufizuar për veten, ndërsa nuk tregojnë të njëjtën tolerancë ndaj mendimit ndryshe. Ky është thelbi i egocentrizmit politik dhe mediatik.
Filozofikisht, egocentrizmi është vendosja e vetes në qendër të universit moral. Në politikë ai shndërrohet në bindjen se interesi personal është më i rëndësishëm se interesi publik, se fama është më e rëndësishme se përgjegjësia dhe se protagonizmi është më i rëndësishëm se stabiliteti institucional. Kjo është veçanërisht e rrezikshme në një shtet të ri si Kosova.
Institucionet tona ende konsolidohen, ndërsa sfidat e jashtme dhe të brendshme mbeten serioze. Në këto rrethana, retorika nxitëse, polarizuese dhe konfliktuale nuk është vetëm problem etik; ajo mund të prodhojë pasoja reale politike dhe shoqërore. Më shqetësues se vetë fenomeni është glorifikimi i tij.
Një pjesë e opinionit publik e trajton provokimin si guxim qytetar, ndërsa spektaklin mediatik si patriotizëm. Në fakt, demokracia nuk ndërtohet mbi spektakël. Ajo ndërtohet mbi institucione funksionale, dialog racional dhe respekt të ndërsjellë. Shteti i së drejtës nuk mund të funksionojë sipas standardit “ligji vlen vetëm për të tjerët”.
Nëse një ligj konsiderohet i padrejtë, ai sfidohet në gjykata, në Kuvend dhe përmes debatit publik. Nuk injorohet sipas dëshirës individuale. Përndryshe, nuk kemi më rend juridik, por relativizim të ligjit, ku secili vendos vetë se cilat norma do të respektojë. Në të njëjtën kohë, institucionet duhet të tregojnë maturi.
Zbatimi i ligjit nuk duhet të perceptohet si hakmarrje ndaj kritikës, por si mbrojtje e rendit kushtetues. Çdo reagim shtetëror duhet të jetë proporcional, transparent dhe i bazuar në ligj, sepse vetëm kështu ruhet besimi i qytetarëve në drejtësi. Kosova ka nevojë për një kulturë të re të debatit publik.
Një kulturë ku argumenti zëvendëson fyerjen, analiza zëvendëson propagandën dhe përgjegjësia zëvendëson narcizmin politik. Demokracia nuk matet me zhurmën e individëve, por me forcën e institucioneve dhe respektin për rregullat e përbashkëta. Në fund, pyetja nuk është nëse dikush ka të drejtë të flasë. Në një demokraci, këtë të drejtë e kanë të gjithë.
Pyetja është nëse jemi të gatshëm të pranojmë se edhe liria, për të mbetur liri, ka nevojë për përgjegjësi. Sepse kur egoja e individit vendoset mbi ligjin, mbi institucionet dhe mbi interesin publik, nuk dobësohet vetëm shteti – dobësohet vetë demokracia.
