Një burrë i armatosur me thika, i cili sulmoi tri gra në rrugët e Parisit, ka deklaruar pas arrestimit se veprimin e kishte bërë me urdhër të Allahut. “Ishte Allahu që më urdhëroi”, ka thënë ai teksa ndodhej i shtrirë në tokë, pasi ishte neutralizuar nga kalimtarët dhe një polic jashtë detyrës, raporton The New York Post, përcjell Sinjali.
Sulmi ndodhi të hënën në veri të Parisit, në zonën Porte de Clichy, pranë Gjykatës së Parisit. Në pamjet e publikuara në rrjete sociale, sulmuesi shihet duke ecur në trotuar me dy thika kasapi në duar, ndërsa qytetarët paralajmëronin të tjerët që të largoheshin. Ai sulmoi tri gra, të moshave 19, 24 dhe 36 vjeç.
Dy prej tyre pësuan plagë të rënda, por sipas autoriteteve franceze pritet të mbijetojnë. Mes të sulmuarave ishte edhe një grua shtatzënë. Ministri i Brendshëm i Francës, Laurent Nunez, tha se identiteti dhe motivi i sulmuesit ende nuk janë konfirmuar, ndërsa shtoi se deklaratat e tij gjatë arrestimit ishin “të pakuptimta”.
Nunez vlerësoi ndërhyrjen e qytetarëve dhe të policit jashtë detyrës që ndihmoi në ndalimin e tij, duke e cilësuar veprimin “të guximshëm”. Prokuroria franceze kundër terrorizmit ka bërë të ditur se po shqyrton mundësinë e hapjes së një hetimi, ndërsa autoritetet ende po punojnë për të përcaktuar motivin e sulmit. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
