Më 27 korrik të vitit 1789, Kongresi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës themeloi Departamentin e Punëve të Jashtme (Department of Foreign Affairs), agjencinë e parë të qeverisë federale amerikane. Vetëm disa javë më vonë, më , institucioni u riemërua në Departamentin e Shtetit (Department of State), duke marrë edhe përgjegjësi të tjera administrative përveç politikës së jashtme.
Me kalimin e kohës, shumica e këtyre funksioneve iu transferuan institucioneve të tjera, ndërsa Departamenti i Shtetit mbeti institucioni kryesor përgjegjës për politikën e jashtme dhe diplomacinë amerikane. Sekretari i parë i këtij institucioni ishte John Jay, jurist, diplomat dhe një nga etërit themelues të Shteteve të Bashkuara.
Ai shërbeu në këtë detyrë deri në emërimin e Thomas Jeffersonit si sekretari i parë i Shtetit nën administratën e presidentit George Washington. Sot, Departamenti i Shtetit është një nga institucionet më të rëndësishme të administratës amerikane.
Ai udhëheq marrëdhëniet diplomatike të SHBA-së me vendet e tjera, koordinon politikën e jashtme, menaxhon rrjetin e ambasadave dhe konsullatave amerikane në mbarë botën, si dhe ofron mbështetje për qytetarët amerikanë jashtë vendit. Selia e Departamentit të Shtetit ndodhet në Uashington, D.C., ndërsa aktualisht ai drejtohet nga sekretari i Shtetit, Marco Rubio.
Themelimi i këtij institucioni konsiderohet një nga hapat e parë në ndërtimin e administratës federale amerikane pas miratimit të Kushtetutës së SHBA-së.
