Asamblisti i LVV-së akuzon Komunën e Malishevës: Parku i Mirushës nuk

0%

Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Malishevës, Veton Zogaj, ka reaguar ndaj synimit të Komunës për dhënien në shfrytëzim afatgjatë të Parkut te Liqeni i Mirushës, duke pretenduar se prona publike po rrezikon të përdoret për interesa partiake.

Në një postim në Facebook, Zogaj ka deklaruar se parku është ndërtuar me mjete publike dhe duhet të mbetet në shërbim të qytetarëve. “Parku te Liqeni i Mirushës nuk është ndërtuar me paratë e një partie, por me paratë e qytetarëve. Aty janë investuar pothuajse gjysmë milioni euro që qytetarët të kenë një hapësirë publike për pushim, rekreacion dhe zhvillim të turizmit”, ka shkruar ai.

Sipas Zogajt, Komuna po synon ta japë parkun në shfrytëzim afatgjatë për interesa të ngushta. “Sot, Komuna e Malishevës po synon ta japë në shfrytëzim afatgjatë për interesa të ngushta, duke ia hapur rrugën një militanti partiak për ndërtimin e një restoranti aty”, ka thënë ai.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Ai ka pretenduar se procedura të ngjashme kanë nisur edhe për prona të tjera komunale, duke përmendur pronën te Pishat e Llazicës, Carrallukën dhe hapësira të tjera publike. “Nuk mbaron këtu. Ka nisur procedura edhe për pronën te Pishat e Llazicës, një nga vendet me potencial të jashtëzakonshëm për t’u shndërruar në atraksion turistik.

Në të njëjtën mënyrë po synohet edhe prona publike në Carrallukë, si dhe prona të tjera komunale”, ka deklaruar Zogaj. Asamblisti i LVV-së ka theksuar se prona publike duhet të mbetet në shërbim të qytetarëve dhe jo të interesave partiake. “Prona publike nuk është plaçkë politike. Nuk është shpërblim për militantët. Nuk është monedhë për të kthyer favore partiake.

Ajo u takon të gjithë qytetarëve dhe duhet të mbetet në shërbim të tyre”, është shprehur ai. Zogaj ka bërë të ditur se, edhe nëse vendimi miratohet në Kuvendin Komunal, ai do të kundërshtohet përmes mekanizmave ligjorë. “Vendimi për Parkun te Liqeni i Mirushës do të ankimohet në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal.

Do të përdoret çdo mekanizëm ligjor për ta mbrojtur pronën publike nga kapja politike”, ka shkruar ai. Në fund, ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të reagojnë për mbrojtjen e pronës publike. “Sot është Parku i Liqenit të Mirushës. Nesër mund të jetë çdo pronë tjetër publike. Prandaj është koha që çdo qytetar të reagojë.

Sepse kur heshtim për pronën publike, nesër nuk do të kemi më asgjë publike për të mbrojtur”, ka përfunduar Zogaj. / Telegrafi

Burimi: Telegrafi