Flutura Gashi-Mehmeti Shpërndaje në: Shtetet e Bashkuara kanë pezulluar sulmet ndaj Iranit, vendim i përcjellë me intensifikim të përpjekjeve diplomatike për të shmangur rikthimin e luftës së plotë. Mediat amerikane raportuan se presidenti Donald Trump po shqyrton si opsionet diplomatike, ashtu edhe ato ushtarake në konfliktin që ka hyrë në muajin e pestë.
Një burim nga Departamenti Amerikan i Mbrojtjes, ka thënë për CNN se operacionet janë pezulluar. Edhe Teherani zyrtar ka njoftuar të dielën se ka pezulluar ato që i quan “sulme hakmarrëse” kundër aleatëve të SHBA-së në rajon. “Këto sulme vazhduan deri dy net më parë, por gjatë dy netëve të fundit amerikanët i kanë ndërprerë sulmet.
Strategjia jonë ka qenë në thelb hakmarrëse dhe, për këtë arsye, edhe ne kemi ndalur operacionet tona hakmarrëse”, ka deklarua Mohammad Akramina, gjeneral i ushtrisë iraniane. Ushtria amerikane ka njoftuar të shtunën se bllokada e saj detare kundër Iranit “mbetet plotësisht në fuqi”, por nuk ka shpjeguar pse ka ndërprerë serinë prej 13 netësh me sulme gjithnjë e më intensive.
Qetësia e përkohshme në luftime, e cila ka nisur të premten në mbrëmje, ndodh pas gati dy javë sulmesh ndaj Iranit dhe pas dështimit të armëpushimit të arritur në qershor. Uashingtoni zyrtar ka fajësuar Iranin për sulmet ndaj forcave dhe aleatëve amerikanë në rajon, si edhe për mbylljen e Ngushticës së Hormuzit.
Sipas burimeve, diplomatë të lartë nga Irani dhe Omani kanë zhvilluar bisedime të dielën për rihapjen e kësaj rruge detare jetike. Një zyrtar në Teheran ka konfirmuar gjithashtu se kolegët e tij kanë qenë në kontakt me negociatorët amerikanë për të parandaluar rikthimin e luftës.
E mediat amerikane kanë raportuar të dielën se zëvendëspresidenti JD Vance dhe kreu i shtatmadhorisë, Dan Caine, e kanë paralajmëruar Trumpin gjatë një takimi në Zyrën Ovale të premten për rreziqet e rifillimit të një fushate të re ushtarake kundër Iranit.
Pas këtij takimi, presidenti ka urdhëruar ushtrinë të anulojë sulmet e reja, për të cilat më herët kishte paralajmëruar se mund “të shkatërronin gjithçka që ata kanë”. Rikthimi i luftimeve SHBA-Iran pasi ishte arritur marrëveshja e armëpushimit ka ndikuar edhe në rritjen e sërishme të çmimeve të naftës.
Këtë javë, çmimi për një fuqi nafte ka arritur në mbi 100 dollarë, për herë të parë që nga muaji maj.
