Shpërndaje në: Charlotte Higgins Të gjithë e dimë sa e pakuptimtë është të ankohesh për përshtatje filmike të një vepre të dashur, vetëm sepse i mungon një skenë, e ka interpretuar gabim një personazh të preferuar, ose ka një qasje paksa “joautentike” te ndonjë detaji.
Sigurisht po flas për adaptimin filmik të Odisesë nga Christopher Nolan, një poemë që e kam dashur prejse isha adoleshente. E kam shijuar filmin njësoj si një numër të madh shikuesish.
Është e jashtëzakonshme, madje marramendëse, që një adaptim i një poeme gati 3000-vjeçare të ketë arkëtuar 264 milionë dollarë vetëm gjatë fundjavës së parë të shfaqjes, të ketë bërë që përkthimet e Odisesë të ngjiten në krye të listave të librave më të shitur dhe që shfaqjet, për shembull në kinemanë “BFI IMAX” në Londër, të jenë të gjitha të shitura deri në fundshtator.
Po jetojmë në epokën e Odiseut, në mes të një çmendurie për “The Odyssey”. Nuk ka kuptim të përpiqesh të jesh purist kur bëhet fjalë për një vepër të dashur klasike. Kushdo që e lexon “Odisenë”, përfshirë edhe Christopher Nolanin, e sheh atë në mënyrë të pashmangshme përmes prizmit të bindjeve dhe paragjykimeve të veta, të ndikuara nga koha dhe rrethanat në të cilat jeton.
Duke qenë se Odiseu lindi nga një traditë gojore që u formësua për dekada, ndoshta edhe shekuj, përmes poetëve që krijonin duke u mbështetur në kujtesë dhe improvizim, nuk ka një version të vetëm “origjinal” tek i cili mund të rikthehemi.
Megjithatë, është e pamundur të mos analizosh zgjedhjet që Nolani ka bërë dhe të mos mendosh pasojat që ato sjellin, sepse në çdo adaptim ka gjithmonë udhëkryqe, rrugë që adaptuesi zgjedh të mos i marrë. Nolan është mjeshtër në rikrijimin e një prej elementeve më të veçanta të poemës origjinale: strukturës së saj të ndërlikuar.
Poema rrëfen udhëtimin dhjetëvjeçar të kthimit të heroit të saj, Odiseut nga rrethimi i Trojës. Ajo përshkruan aventurat që ai përjeton gjatë rrugës, si dhe mënyrën se si, pasi kthehet në shtëpi, rifiton vendin e tij si udhëheqës i familjes. Në këtë rrëfim ka përbindësha, shtriga, magji dhe stuhi në det.
Më pas, Odiseu duhet të depërtojë fshehurazi në shtëpinë e tij, i maskuar si një lypës, përpara se të shpërthejë një masakër hakmarrjeje që të kujton filmat e Quentin Tarantinos. Historia nuk rrëfehet në rend kronologjik, por ndërtohet përmes linjave paralele kohore dhe rikthimeve në të kaluarën.
Nolan, ashtu siç kisha shpresuar prej këtij krijuesi të “Inception”, “Memento” dhe “The Prestige”, i qëndron besnik frymës së strukturës së ndërlikuar të poemës origjinale me rikrijimin e tij kompleks. Por Odiseu i tij, interpretuar nga Matt Damonit, është figurë e zymtë dhe e munduar nga brenda, jo ai Odiseu llafazan, mjeshtër i retorikës dhe gënjeshtar plot sharmë që unë e njoh në poemë.
Kinemaja është medium vizual, jo zhanër për monologë të gjatë, megjithatë Odiseu i Nolanit është një personazh jashtëzakonisht i heshtur. Ai paraqitet i pushtuar nga faji dhe pesha e ndërgjegjes, tipare që duken më shumë të frymëzuara nga trashëgimia judeo-kristiane dhe nga vizioni i Nolanit për një botë të rraskapitur nga luftërat, sesa nga figura e Odiseut në poemën e Homerit.
Ndërsa në poemë Odiseu e përgatit djalin e tij, Telemakun, për jetën e një luftëtari, dhe të dy së bashku luftojnë kundër armiqve të tyre, filmi gjen mënyrën për ta çliruar të riun nga barrët e jetës së një vrasësi. Megjithatë, “Odiseja” nuk është një poemë kundër luftës, edhe pse është një poemë e pasluftës.
Odiseu i Homerit vendoset brenda një linje trashëgimie luftëtarësh që shtrihet pas në kohë, deri te luftëtari i madh veteran Nestori dhe përtej tij (Nestori mungon në film, kështu që kjo shtresë e trashëgimisë humbet), dhe vazhdon drejt brezit të ardhshëm. Për Odiseun, lufta është një fakt i jetës – edhe pse një fakt i dhimbshëm dhe shkatërrues.
Por ideja se Odiseu mban një barrë morale për shkatërrimin e Trojës është krejtësisht e Nolanit. Ai e ka mbuluar poemën me shqetësimet dhe ankthet e veta, ashtu siç bëjnë në fund të fundit të gjithë lexuesit, dhe ka krijuar një adaptim që është zbutur dhe përshtatur me ndjeshmëritë moderne.
Nëse do t’i qëndronte më besnik burimit origjinal, nuk jam e sigurt nëse sot arkat filmike do të ishin duke llogaritur me aq entuziazëm të ardhurat. A do të pranonin vërtet shikuesit modernë të kinemasë për të parë një varg grash të skllavëruara të varura në litar, si pëllumba të kapur në një kurth (siç thotë poema), me këmbët që dridhen ndërsa vriten?
Nolani ka shtuar elemente të reja, por sigurisht se edhe ka hequr. Ai nuk ka hequr vetëm momente të errëta dhe tronditëse, si varja e skllevërve, por gjithashtu, në kontrast me to, ka hequr edhe lehtësinë dhe zgjuarsinë humoristike të eposit. Kjo është veçmas e dukshme në mënyrën se si ai i trajton personazhet femra.
Helena e hidhëruar dhe plot mllef e Nolanit, e interpretuar nga e shkëlqyera Lupita Nyong’o, është e lënduar si fizikisht ashtu edhe në kuptimin metaforik, në vend që të jetë e qetë, rrezatuese dhe elegante. Kirkeja e tij është madhështore dhe e çuditshme (dhe interpretohet në mënyrë të jashtëzakonshme nga Samantha Morton), por nuk është as gazmore dhe as joshëse.
Meqë ai i ka hequr perënditë e Olimpit nga çdo rol i rëndësishëm, në film humbim një moment të mrekullueshëm ku hyjnesha Kalipso (e luajtur nga Charlize Theron) i ankohet perëndisë Hermes për standardin e dyfishtë seksual (ajo thotë se është në rregull që perënditë të kryejnë marrëdhënie me gra të vdekshme, por jo që perëndeshat të flenë me burra).
Raporti mes Athenës së Zendayas dhe Odiseut të Matt Damonit nuk e ka atë energji lozonjare dhe flirtuese që e bën kaq tërheqëse marrëdhënien e tyre në poemë. Nuk është aty as Nausikaa e re dhe e turpshme, e cila e gjen Odiseun të plagosur dhe të zhveshur në breg të detit (një skenë e mrekullueshme), sepse Nolani e ka hequr krejt Nausikaan, ashtu si edhe nënën e saj enigmatike, Areten.
Edhe nëna e Odiseut është hequr, ndërsa gruaja e tij, Penelopa (Anne Hathaway), është privuar nga disa shtresa të rëndësishme të kompleksitetit të saj. Është zhdukur ai misteri i saj. Heqja, pak a shumë, e perëndive është një vendim i kuptueshëm, nëse dëshiron të përqendrohesh te motivimet dhe zgjedhjet njerëzore.
Është më e lehtë t’i përfytyrosh perënditë në një poemë sesa t’i shfaqësh në ekran si figura që rrinë në mënyrë të çuditshme e jo bindëse mbi re.
Më erdhi ndër mend shkrimtari Colm Tóibín, i cili më kishte shpjeguar pse në romanin e tij “House of Names”, që gjithashtu zhvillohet në botën e Luftës së Trojës, kishte zgjedhur të mos përfshinte perënditë: romani, më tha ai, është një formë thellësisht njerëzore e letërsisë dhe perënditë nuk kanë vend në të. Dhe për Nolanin, të paktën, kështu është edhe kinemaja.
Por pse të humbë shkëndija seksuale? Kisha një dyshim të fshehtë se, duke zbehur aventurat seksuale jashtëmartesore të Odiseut (si edhe paqartësinë e Penelopës ndaj burrave që garojnë për ta marrë për grua në Itakë), Nolani ka gjetur një tjetër mënyrë për ta zbutur Odisenë dhe për ta bërë të pranueshëm sipas moralit modern. Lexojeni poemën.
Ajo që do të mësoni nga filmi ka të bëjë me ne: me shqetësimet dhe temat që preokupojnë Nolanin, si dhe me atë që ndjeshmëritë moderne janë në gjendje të pranojnë. Leximi i poemës e kthen vështrimin nga jashtë – drejt një realiteti tjetër që ne e njohim, por që në të njëjtën kohë është i huaj, i egër, i çuditshëm, magjepsës, shqetësues dhe kaq i ndryshëm nga i yni. Shikojeni filmin, po.
Pastaj hapni faqet e një libri dhe humbuni në një botë tjetër, të cilën asnjë kamerë IMAX nuk do të mund ta krijojë. Marrë nga “The Guardian”. Përktheu: Vigjilencë Islami
