Rruga rrezikon shtëpinë, rrëshqitja e tokës ka alarmuar të moshuarën

0%

Poshtë Kalasë së Argjiros, në zemër të qytetit muze të Gjirokastrës, Robert dhe Vasilika Arseni, nënë e bir, jetojnë çdo ditë me frikën se shtëpia e tyre mund të rrezikohet nga shembja e murit mbajtës të rrugës. Bëhet fjalë për rrugën e njohur nga banorët si “Rruga pas Kalasë”, ku një pjesë e kalldrëmit ka pësuar ulje të ndjeshme.

Si pasojë, edhe muri i gurit që mban rrugën dhe që ndodhet ngjitur me oborrin e banesës së familjes Arseni është deformuar dukshëm, duke ngritur shqetësime serioze për sigurinë. 85-vjeçarja Vasilika Arseni, e cila jeton e vetme në banesë, thotë se çdo ditë jeton me ankthin se gurët e murit mund të shemben dhe t’i rrezikojnë jetën.

Sipas saj, dëmtimet janë përkeqësuar nga kalimi i vazhdueshëm i mjeteve me tonazh të rëndë mbi kalldrëm, pavarësisht se bëhet fjalë për një zonë historike me infrastrukturë të ndjeshme.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Nga Greqia, ku jeton si emigrant, djali i saj, Robert Arseni, tregon se prej kohësh i është drejtuar Bashkisë së Gjirokastrës me ankesa të përsëritura, duke kërkuar ndërhyrjen e Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike për stabilizimin e murit dhe riparimin e segmentit të dëmtuar. Sipas tij, deri më sot nuk ka marrë asnjë përgjigje dhe asnjë ndërhyrje konkrete.

Ndërkohë që amortizimi i rrugës vazhdon të përparojë, familja Arseni kërkon një reagim të menjëhershëm nga institucionet përgjegjëse, përpara se dëmtimet të kthehen në një rrezik real për jetën e banorëve dhe për vetë trashëgiminë historike të qytetit.

Burimi: Bota Sot