Meçi i mbrëmshëm mes boksieri shqiptar Kristian Prenga dhe britanikut Anthony Joshua, ka ngritur shumë polemika në opinion. Gjatë rundit të dytë, Joshua triumfoi me nokaut ndaj boksierit shqiptar. Legjenda e komentimit dhe gazetarisë sportive, Agim Kasapolli, ka thënë se ka ndjekur një meç që të lërë aq shumë pikëpyetje.
“Duel që duhet harruar sa më parë Nga përvoja ime shumëvjeçare si komentator boksi, me mbi 400 duele amatore dhe profesioniste të analizuara, rrallëherë kam ndjekur një meç që të lërë aq shumë pikëpyetje sa përballja e peshave super të rënda ndërmjet Joshuas dhe Prengës. Bazuar në atë që u pa gjatë dy raundeve jo të plota, krijohet përshtypja se kjo ndeshje nuk ishte një duel i zakonshëm.
Mënyra se si u zhvillua ngre dilema serioze dhe lë vend për dyshime. Që në fillim të mbrëmjes sportive, vëmendjen nuk e tërhoqi vetëm dueli. Spektakli ishte i mbingarkuar me elemente folklorike, marketing agresiv dhe një patriotizëm të theksuar artificial.
Në vend që në qendër të ishte boksi, publikut iu servir një shfaqje ku simbolet shtetërore dhe retorika patriotike zunë më shumë hapësirë sesa vetë gara sportive. Sporti duhet të bashkojë njerëzit përmes konkurrencës së ndershme dhe respektit reciprok, e jo të shndërrohet në një skenë ku emocionet patriotike përdoren si instrument marketingu.
Dy nokdaunët që pësoi Joshua në fillim të raundit të parë nuk ishin bindës. Ata dukeshin më tepër si pasojë e përplasjeve dhe goditjeve të çrregullta nga afërsia, sesa rezultat i goditjeve të pastra dhe shkatërruese. Gjatë numërimit, Joshua nuk dha asnjë shenjë se ishte i tronditur. Ai u ngrit i qetë, me qëndrim të qëndrueshëm dhe i gatshëm për ta vazhduar meçin.
Në atë raund, Prenga pati iniciativën dhe në përgjithësi krijoi përshtypjen e boksierit më aktiv. Por gjithçka ndryshoi brenda pak çastesh në raundin e dytë. Joshua mori menjëherë kontrollin e duelit dhe, pas një sulmi të vendosur të shoqëruar me dy goditje të fuqishme, e rrëzoi Prengën në tapet.
Pas numërimit, gjyqtari në ring vendosi se Prenga nuk ishte në gjendje ta vazhdonte meçin, duke e shpallur Joshuan fitues me ndërprerje. Pikërisht ky kontrast ngre pikëpyetjet më të mëdha. Si është e mundur që një boksier, i cili në raundin e parë dukej dominues dhe e dërgoi kundërshtarin dy herë në nokdaun, në raundin pasues të dorëzohet pas një sulmi të vetëm?
Ky zhvillim është i vështirë të shpjegohet vetëm me argumente sportive. Historia e boksit të peshave të rënda njeh shumë përballje dramatike, madje edhe tragjike, ku një goditje e vetme ka vendosur fatin e ndeshjes. Pikërisht për këtë arsye, publiku pret që çdo duel të jetë një garë e ndershme dhe e besueshme. Fatkeqësisht, ajo që u pa në këtë përballje nuk i ngjante një beteje të tillë.
Në shumë momente krijohej përshtypja e një sparingu të kontrolluar, më shumë sesa e një dueli të vërtetë profesionist. Në aspektin financiar, të dy boksierët dolën fitues. Joshua arkëtoi 4 milionë dollarë, ndërsa Prenga 1 milion dollarë. Ky është realiteti i boksit profesionist, ku interesat ekonomike shpesh janë të mëdha.
Megjithatë, asnjë përfitim financiar nuk mund ta zëvendësojë besimin e publikut, sepse pikërisht ai është kapitali më i madh i çdo sporti. Pas zhgënjimeve që sportdashësit kanë përjetuar kohët e fundit në disa ngjarje të mëdha sportive, edhe kjo mbrëmje e boksit profesionist të peshave super të rënda la më shumë pikëpyetje sesa emocione.
Në fund, secili ka të drejtë ta gjykojë atë që pa në ring. Si komentator me përvojë shumëvjeçare, unë nuk pretendoj të jap verdikte përfundimtare, por nuk mund të mos shpreh dyshimet që më krijoi kjo përballje. Për mënyrën se si u zhvillua, ky ishte një duel që do të mbahet mend më shumë për dilemat sesa për cilësinë e boksit.
Boksi profesionist ka nevojë për duele që fitojnë besimin e publikut, jo për spektakle që ushqejnë dyshimet. Kur publiku largohet nga arena me më shumë pikëpyetje se emocione, humbësi më i madh nuk është asnjëri prej boksierëve, por vetë boksi.
Ky ishte një duel që, për hir të reputacionit të këtij sporti fisnik, duhet harruar sa më parë”, k a shkruar Kasapolli në profilin e tij në facebook.
