Policia e Shtetit në Shqipëri ka njoftuar se është shpallur në kërkim një person 47-vjeçar i cili dyshohet se ka plagosur me armë zjarri në këmbë një 22-vjeçar. 47-vjeçari dyshohet se pas plagosjes u largua nga vendi i ngjarje, duke marrë me vete – nën kërcënim të armës – edhe automjetin e 22-vjeçarit në Kurbin.
“Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore të kryera nga grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, për ngjarjen e ndodhur më datë , bazuar në provat e siguruara, specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Lezhë, në bashkëpunim me specialistët e Komisariatit të Policisë Kurbin, identifikuan dhe shpallën në kërkim shtetasin K.
N., 47 vjeç, banues në Sanxhak, Kurbin, i dyshuar si autor i plagosjes me armë zjarri të shtetasit V. P., 22 vjeç, banues në Sanxhak, Kurbin, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.”- njoftoi Policia e Shtetit. Në vendin ku ka ndodhur ngjarja, Policia ka sekuestruar dy gëzhoja.
Prokurorisë iu dërguan provat dhe Policia njofton se materialet u referuan për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Vjedhja me armë” dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. Policia e Shtetit njofton se po punon për kapjen e të dyshuarit dhe gjetjen e automjetit të viktimës.
