Rumania ka rrëzuar dronin e tretë brenda vetëm tri ditësh, ndërsa autoritetet rumune kanë bërë të ditur se të paktën njëri prej tyre ishte i tipit Shahed, i përdorur nga Rusia në luftën kundër Ukrainës.
Presidenti rumun, Nicușor Dan, njoftoi se një avion luftarak F-16 rrëzoi një dron të dielën rreth orës mbi ujërat territoriale të Rumanisë, në zonën Sulina–Chilia të Deltës së Danubit, pranë kufirit me Ukrainën.
“Dua t’i përgëzoj pilotët dhe ekipet tokësore të Forcave Ajrore Rumune për profesionalizmin, guximin dhe efikasitetin me të cilin kryejnë misionet e tyre”, shkroi Dan në rrjetin social X. Një tjetër dron ishte rrëzuar të shtunën, rreth 10 kilometra në perëndim të fshatit Sfântu Gheorghe në lindje të Rumanisë.
Sipas Ministrisë rumune të Mbrojtjes, dy avionë F-16 u ngritën për të identifikuar objektivin dhe e rrëzuan atë në mënyrë të sigurt në një zonë të pabanuar pranë kufirit. Edhe të premten, një tjetër F-16 kishte rrëzuar një dron rreth orës , raporton Euronews, transmeton Sinjali.
Prokuroria e Përgjithshme e Rumanisë konfirmoi se droni i rrëzuar të premten ishte i tipit Shahed , i përdorur nga forcat ruse në luftën në Ukrainë. Ndërkohë, hetimet për dronët e rrëzuar të shtunën dhe të dielën janë ende në vazhdim. Presidenti Dan e quajti “të patolerueshme” shkeljen e vazhdueshme të hapësirës ajrore rumune nga Rusia.
“Veprime të tilla janë të papranueshme dhe po i trajtojmë me seriozitetin maksimal, së bashku me aleatët tanë”, deklaroi ai. Rumania, si vend anëtar i NATO-s dhe me dalje në Detin e Zi, është përballur muajt e fundit me një rritje të incidenteve që lidhen me dronët për shkak të luftës në Ukrainë.
Në maj, një dron rus me eksploziv u rrëzua mbi një ndërtesë banimi në qytetin Galați, duke shkaktuar zjarr në çati dhe duke plagosur dy persona. Një muaj më vonë, një dron detar ukrainas shpërtheu në portin e Konstancës, pasi ushtria ukrainase tha se kishte devijuar nga kursi për shkak të ndërhyrjes elektronike ruse.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, i ka cilësuar incidente të tilla si “pasojë të drejtpërdrejtë të luftës së Rusisë kundër Ukrainës”. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
