Douglas Costa ka folur për partneritetin që pati me Cristiano Ronaldon te Juventusi, duke e përshkruar yllin portugez si një “makinë”, e cila ua lehtësonte jetën bashkëlojtarëve në Torino.
Anësori brazilian, i cili fitoi disa trofe gjatë periudhës së tij te Juventusi, zbuloi kombinimin unik mes profesionalizmit ekstrem dhe personalitetit të tij gazmor, që e karakterizon golashënuesin më të mirë në historinë e futbollit ndërkombëtar.
Duke kujtuar periudhën e tij në “Allianz Stadium”, Costa dha një pasqyrë interesante se si ishte të ndaje dhomat e zhveshjes me një nga futbollistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Duke folur për fituesin pesë herë të “Topit të Artë”, ai shpjegoi se Ronaldo ua bënte lojën shumë më të lehtë të gjithë bashkëlojtarëve. “Për pothuajse 15 vite ai ishte garanci për golat që shënonte.
Ishte një lojtar shumë i lehtë për t’u menaxhuar: bënte shumë shaka kur ishte momenti, por në fushë ishte një makinë. Jam shumë i lumtur që pata mundësinë të luaja me të. Ishte pa dyshim një fat i madh,” tha Costa për “Tuttosport”. 33-vjeçari foli gjithashtu për mënyrën se si u realizua transferimi i tij nga Bayern Munichu te Juventusi në vitin 2017.
“Ishte një marrëveshje e shpejtë, por gjithçka kishte nisur shumë më herët. Agnelli dhe Paratici folën me mua menjëherë pas ndeshjes së Ligës së Kampionëve mes Juventusit dhe Bayern Munichut në vitin 2016. Më pas shkova në Australi me Alex Sandron për të luajtur një miqësore kundër Brazilit. Ai kishte dëgjuar se Interi donte të më sillte në Itali dhe edhe unë e dija që ishin të interesuar.
Atëherë Alex Sandro më pyeti: ‘A do të vije te Juventusi?’ Nuk pata asnjë dyshim, sidomos sepse me Carlo Ancelottin do të luaja më pak te Bayern Munichu. Trajneri kishte qenë shumë i qartë me mua. Pastaj më telefonoi Paratici dhe gjithçka ndodhi shumë shpejt. Kur të telefonon Juventusi, nuk mund të thuash jo”, t ha ai.
Braziliani pranoi se përshtatja me futbollin italian nuk ishte e menjëhershme dhe se iu desh kohë për t’u ambientuar nën drejtimin e Massimiliano Allegrit. “Në fillim qëndrova për një periudhë në stol, pastaj ai më aktivizoi kur e kuptova futbollin italian,” tha Costa. “E gjeta veten dhe u dashurova me Italinë, ndërsa edhe bashkëlojtarët më ndihmuan shumë.
Allegri më bëri të kuptoja se për të luajtur duhej të isha gjithmonë i përqendruar dhe të mos humbisja asnjëherë fokusin. Ai pati një rol shumë të rëndësishëm në ndryshimin e mentalitetit tim”, e mbylli braziliani.
