Real Madrid ka bërë një tjetër lëvizje të bujshme në merkato, duke mposhtur konkurrencën e PSG-së për një nga talentet më të kërkuar të Europës. Sipas raportimeve nga Spanja, klubi madrilen ka arritur marrëveshjen për transferimin e Yan Diomande nga Lajpcigu. Talenti nga Bregu i Fildishtë pritet të bëhet lojtari më i ri që i bashkohet skuadrës së drejtuar nga Jose Mourinho.
Shifra e marrëveshjes është marramendëse, me Real Madrid që do të paguajë rreth 115-120 milionë euro për kartonin e 19-vjeçarit. Një investim që e vendos Diomanden pranë transferimeve më të shtrenjta në historinë e klubit, pak pas Jude Bellingham, i cili iu bashkua Realit për 127 milionë euro nga Dortmundi.
Diomande kishte tërhequr vëmendjen edhe të Paris Saint-Germain, por madrilenët kanë arritur të fitojnë garën për shërbimet e tij. Futbollisti e ka dhënë miratimin për transferimin disa ditë më parë dhe tashmë pritet vetëm zyrtarizimi. 19-vjeçari aktivizohet në krahun e djathtë të sulmit dhe konsiderohet si një nga lojtarët me potencialin më të madh për të ardhmen.
Real Madridi beson se ai mund të jetë një tjetër yll i madh në projektin afatgjatë të klubit.
