Lionel Messi nuk do të jetë pjesë e ndeshjes All-Star të MLS 2026, por ndryshe nga një vit më parë, këtë herë mungesa e tij nuk do të shoqërohet me ndëshkim. Ylli argjentinas është një nga katër lojtarët që janë zëvendësuar në listën e përfaqësueses së MLS-së për sfidën ndaj yjeve të Liga MX, e cila do të zhvillohet në stadiumin “Bank of America” në Charlotte.
Bashkë me Messin mungojnë edhe Rodrigo De Paul, Hugo Cuypers dhe Mbekezeli Mbokazi. Liga Amerikane ka sqaruar se vendimi është marrë në përputhje me marrëveshjen e arritur me Shoqatën e Lojtarëve të MLS-së, e cila u jep futbollistëve që kanë marrë pjesë në Kupën e Botës kohën e nevojshme për pushim dhe rikuperim para rikthimit në aktivitet me klubet e tyre.
Messi dhe De Paul luajtën me Argjentinën deri në finalen e Kupës së Botës më 19 korrik dhe për këtë arsye janë përjashtuar nga pjesëmarrja në All-Star Game. Të dy munguan edhe në ndeshjen e Inter Miamit ndaj Chicago Fire dhe nuk do të jenë të gatshëm as për sfidën kundër CF Montréal.
Kjo është një situatë krejt ndryshe nga vera e kaluar, kur Messi dhe Jordi Alba u pezulluan me një ndeshje pasi munguan në All-Star pa një arsye të njohur nga rregullorja e MLS-së. Këtë herë, liga ka konfirmuar se mungesa e kampionit të botës është plotësisht e justifikuar dhe ai nuk rrezikon asnjë sanksion.
