​Punëtori humb jetën gjatë rinovimit të Camp Nou, Barcelona ofron

0%

Një punëtor ndërtimi ka humbur jetën gjatë punimeve për rinovimin e stadiumit “Spotify Camp Nou”, ka konfirmuar Barcelona përmes një deklarate zyrtare. Viktima, 54-vjeçar, ishte pjesë e ekipit që po punon në projektin e madh të rikonstruktimit të stadiumit, i cili ka nisur në qershor të vitit 2023.

Sipas raportimeve nga mediat spanjolle, ai dyshohet se ishte duke kryer punime lyerjeje nga një platformë ngritëse kur ndodhi aksidenti fatal. Në reagimin e saj, Barcelona shprehu pikëllimin për ngjarjen dhe u ofroi mbështetje familjarëve të viktimës.

“FC Barcelona shpreh keqardhjen e thellë për vdekjen e punëtorit që humbi jetën në aksidentin në vendin e punës gjatë punimeve të rinovimit në Spotify Camp Nou”, thuhet në deklaratën e klubit. Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, u ka shprehur personalisht ngushëllime familjarëve të viktimës dhe ka bërë të ditur se klubi do të ofrojë çdo ndihmë të nevojshme në këtë periudhë të vështirë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Autoritetet katalanase kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të aksidentit. Sipas procedurave standarde për aksidentet me pasoja fatale në vendin e punës, në hetim janë përfshirë gjykata kompetente dhe Departamenti i Biznesit dhe Punës i Katalonjës. Ky është rasti i parë me fatalitet i regjistruar në kantierin e “Spotify Camp Nou” që nga fillimi i projektit të rinovimit.

Punimet në stadium përfshijnë modernizimin e plotë të objektit dhe rritjen e kapacitetit në rreth 105 mijë ulëse, duke e shndërruar atë në një nga stadiumet më moderne në botë.

Burimi: Bota Sot