Të nderuar lexues, për shkak të punës sonë në identifikimin e burimeve të financimit dhe burimeve ruse të dezinformimit, vazhdimisht po përballemi me një strukturë të organizuar të sulmeve ndaj nesh dhe punës sonë. Faqja në rrjetet sociale Lule Gjeli e denoncuar nga Krypometër mbi 10 herë si faqe që shpërndanë lajme të rreme, nuk ka asnjë lidhje me punën tonë.
Për më tepër, kjo faqe me datën ka mesazh shpifës me gjuhë skajshmërisht urrejtëse ndaj kryeredaktorit të KALLXO.com dhe drejtorit të Internews Kosova, Faik Ispahiu, duke e akuzuar se ai është “qytetar i ndershëm i Serbisë”.
Ky postim i Lule Gjeli dhe proksive të saj të cilët përdorin çdo metodë politike e digjitale për të na sulmuar dhe të cilët pasuan këto ditë është një sulm i koordinuar ndaj verifikuesëve të fakteve.
“Influencerë” të rrjeteve sociale, të cilët gjatë punës tonë janë identifikuar si pronarë të platformave që shpërndajnë dezinformimin rus në gjuhë shqipe me mesazhe të kordinuara, vazhdojnë të shpifin për punën tonë. Mesazhet e fundit shpifëse lidhen me Facebook profilin Lule Gjeli dhe punën tonë.
Në vitin 2020 në KALLXO.com është publikuar opinioni me titull: “ Modeli i fshehur që mund të jetë në tavolinën e marrëveshjeve Kosovë-Serbi ”. Ky opinion i vitit 2020, i cili nuk ka pasaktësi, është redaktuar nga redaksia jonë dhe është publikuar në hapësirën e opinioneve.
Ky opinion i publikuar në KALLXO.com nuk ka pasur asnjë kontestim dhe nuk e dijmë që ka lidhje me veprimtarinë e mëpasme të profilit Lule Gjeli në Facebook që më pas ka publikuar dezinformata dhe lajme të rreme. Për njohurinë e opinionit, redaksia jonë ka publikuar deri më tani së paku 12 artikuj të cilët tregojnë se kjo faqe shpërndanë lajme të rreme.
Disa prej artikujve përmes të cilëve e kemi ekspozuar faqen Lule Gjeli, si profil që shpërndan informacione të rreme janë: Deklarata e rremë që i mveshet Viola von Cramon Avokati Luka Misetiq nuk ka deklaruar se Thaçi punonte për shërbimin sekret francez Avdullah Hoti nuk ka vdekur Rrena për premtimin që kanë marrë LDK, PDK & AAK Hykmete Bajrami nuk ka thënë se ‘lufta në Iran nuk po ndodh’ Pretendimi i rrejshëm se Hamza ka folur për Ujmanin, Radoiçiqin e anijen e tij Postimi i rremë për të dyshuarit për sulm ndaj Gazmend Muhaxherit Ariana Musliu Shoshi nuk ka thënë se do t’i largojnë Policinë nga veriu e do ta kthejnë dinarin Bedri Hamza nuk ka folur për arritje të marrëveshjes për bashkëqeverisje me Listën Serbe Lista Serbe nuk e ka miratuar integrimin e shëndetësisë dhe të arsimit në sistemin shtetëror të Kosovës Kryeministri Rama nuk ka thënë se do të mbështesë Serbinë në Euro 2024 Deklarata e rremë që i mvishet Besian Mustafës për çështjen e Presidentit Artikujt e publikuar, të cilët dëshmojnë se faqja Lule Gjeli shpërndante lajme të rreme, janë publikuar në Krypometër dhe janë ndarë me lexuesit.
Facebook profili “Lule Gjeli” disa herë ka tentuar të na intimidojë e frikësojë me mesazhe e publikime që kërkojnë ndaljen e punës sonë në verifikimin e fakteve dhe denoncimin e publikimeve nga kjo llogari në Facebook. Profili Lule Gjeli ka shpërndarë dezinformata edhe rreth themeluesve te KALLXO.com , ndërsa në platformat e META ka bërë kërcënime direkte per stafin tonë.
Puna jonë në këtë drejtim është e qartë: Faqja “Lule Gjeli” ka filluar shpërndarjen e lajmeve të rreme pasi që eshtë publikuar opinioni i Lule Gjelit në K ALLXO .com dhe faqja e njëjtë është ekspozuar po nga ne kur ka publikuar lajme te rreme. Si rezultat i këtyre ekspozimeve që i kemi bërë ne, postimet e “Lule Gjelit” janë etiketuar si të rreme në rrjetet sociale të META.
Disa influencerë të facebookut, pa bërë verifikimet fillestare, kanë nisur fushatë ndaj KALLXO.com . Këto shpifje, si shumë të tjera, do të përfundojnë në gjykatë. Është faktike që influencerët që na sulmojnë janë duke tentuar të njollosin reputacionin tonë për shkak se ne raste të dokumentuara kemi konstatuar se në platformat që ata menaxhojnë shpërndahen dezinformata të Kremlinit.
Deri sot, këta “influencerë” nuk kanë sqaru asnjeherë se pse i ripublikojnë komunikatat e Kremlinit pa editim, ashtu si janë evidentuar në raportin Hartëzimi i Dezinformatave , e as pse editojnë artikuj të mediave ndërkombëtare duke shpërndarë vetëm narrativa të Kremlinit.
Në anën tjetër, për t’iu përgjigjur kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, sa për korrektësi, po i përgjigjemi edhe njëherë pyetjeve të tij të cilat i ka dërguar përmes një postimi të tij në Facebook: Kush është autori me emrin “Lule Gjeli”? Përgjigje: Identiteti i autorit me pseudonimin “Lule Gjeli” nuk është i panjohur për ne.
Autori i opinionit të publikuar në KALLXO.com ka kërkuar që artikullin e dërguar si opinion ta publikojë me pseudonim. Ka pasur edhe raste tjera, megjithëse fort të rralla, kur KALLXO.com ka publikuar përmbajtje nën pseudonim. Edhe në këtë rast, ka qenë vendim i redaksisë, që artikullin e dërguar me email ta publikojmë në pjesën Opinione me datë me pseudonim, por me redaktim tonin.
Por, nuk e dijmë kush qëndron prapa Facebook profilit “Lule Gjeli”. Po e përsërisim, ky opinion është publikuar para se të fillojnë postimet me lajme të rreme nga profili Lule Gjeli në Facebook dhe kurrfarë pagese apo shpërblimi nuk është i lidhur me këtë publikim. Çfarë bashkëpunimi tjetër kanë pasur me Lule Gjeli?
Përgjigje: Pos publikimit të opinionit, kurrfarë bashkëpunimi tjetër nuk ka pasur as me autorin e opinionit , e as me facebook profilin Lule Gjeli. Vlerësimet dhe shenjëzimet e postimeve të profilit Lule Gjeli në Facebook si të rreme nuk do t’i quajmë si bashkëpunim, sepse disa herë kemi qenë të sulmuar mu për shkak të punës sonë në shenjëzimin e këtyre postimeve të rreme.
Në cilën periudhë kohore ka bashkëpunuar me të, sa ka zgjatur ky bashkëpunim, a është paguar ajo/ai për publikimet e saj dhe me çfarë fondesh është paguar? Përgjigje: Publikimi i opinionit ka ndodhur me . Autori i këtij opinioni as nuk është paguar, e as nuk ka paguar në asnjë formë, në asnjë moment, në asnjë mënyrë për këtë publikim.
Puna në redaktimin e këtij opinioni është mbuluar me fondet vetanake të KALLXO.com . A ka qenë ndonjë politikan i përfshirë në diskutimet gjatë angazhimit të Lule Gjelit në publikimin e “opinioneve” pro qeveritare? Përgjigje: Jo! Jo, sepse KALLXO.com nuk ka qenë e as nuk është, nuk ka publikuar e as nuk publikon materiale “pro qeveritare”.
As në kohën e AAK, as në kohën e LDK, as në kohën e PDK, e as në kohën e LVV. Ndoshta e keni të vështirë ta kuptoni dhe ta pranoni si të tillë, por puna e KALLXO.com udhëhiqet jo sipas preferencave politike, por sipas standardeve dhe vlerave të cilat janë publike dhe të qarta për të gjithë, përpos për ata të cilët me pafytyrësi të madhe ndryshojnë mendimet, vlerësimet dhe qëndrimet duke u bazuar në atë se kush i paguan këtë javë apo tjetrën.
A do t’i kërkoni falje qindra viktimave, një prej të cilave jam edhe unë, për dëmin që u ka shkaktuar profili Lule Gjeli? Përgjigje: Jo! Jo, sepse nuk ndihemi përgjegjës për veprimet as të autorit të opinionit , e as për postimet e Lule Gjelit. Po ashtu, nuk kërkojmë falje as për publikimin të botuar dje.
Edhe pse Përparim Rama mund ta konsiderojë këtë artikull si “pro qeveritar” apo “kundër Përparim Rama”; edhe pse Përparim Rama mund të konsiderojë se KALLXO.com duhet të mos i adresojë temat të cilat raportohen në redaksinë tonë për shkak se ka bërë shumë për disa projekte të BIRN-it, duhet t’ia kujtojmë, edhe z.Rama por edhe opinionit, se KALLXO.com punon dhe raporton sipas standardeve më të larta profesionale, pa kurrfarë animi apo preference, pos interesit publik.
Si përfundim, duam të sqarojmë se ekipi jonë do t’i drejtohet Gjykatës kompetente për t’i denoncuar të gjitha shpifjet lidhur me këtë rast.
Për shkak të parimeve tona, do t’a respektojmë kërkesën për publikim nën pseudonim të opinionit në fjalë, por, nëse ka nevojë, jemi të gatshëm për bashkëpunim me organet kompetente, e jo me “Lule Gjelat” tjerë dhe me ata të cilët bijnë në ndikim të tyre. Këtu mund t’i shihni të gjitha postimet e rreme të faqes Lule Gjeli, të cilat janë ekspozuar nga Krypometër:
