Federata Botërore e Atletikës ka prezantuar formatin e ri të “Ultimate Championship”, një kompeticion që do të zhvillohet për herë të parë në Budapest nga 11 deri më 13 shtator, me pjesëmarrjen e atletëve më të mirë në botë. Synimi i këtij eventi është ta bëjë atletikën më tërheqëse për tifozët dhe më të përshtatshme për transmetimet televizive.
Programi do të përfshijë 28 finale të shpërndara në tre sesione mbrëmjeje, me vetëm një disiplinë në fushë në të njëjtën kohë, për të mbajtur vëmendjen e publikut te çdo garë. Finalet e kërcimeve, hedhjeve, 1500 m dhe 5000 m do të zhvillohen direkt, ndërsa garat deri në 800 metra do të kenë edhe gjysmëfinale.
Transmetimet televizive do të sjellin risi si grafika të avancuara, realitet të shtuar, statistika në kohë reale dhe parashikime për fituesit. Gjithashtu, stadiumi do të ketë një koncept të ri vizual dhe muzikor, me ndriçim të veçantë dhe prezantime spektakolare të atletëve. Një tjetër risi është se nuk do të ndahen medalje, por trofe të veçantë për kampionët.
Fondi i shpërblimeve arrin në 10 milionë dollarë, më i madhi në historinë e atletikës, ndërsa çdo kampion individual do të fitojë 150 mijë dollarë. Ftesat do t’u jepen kampionëve olimpikë, kampionëve botërorë dhe fituesve të “Diamond League”, pa kuota kombëtare, duke synuar pjesëmarrjen e atletëve më të mirë në botë.
